Në bazat ushtarake amerikane në Erbil dhe Al Asad të Irakut janë duke punuar rreth 300 kosovarë. Siç mëson RTklive.com Ministria e Punëve të Jashtnme e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me kosovarët që gjenden atje.
Fahri Goga, 41- vjeçar, nga Ferizaj, punëtor i kompanisë amerikane – KBR inc ka folur për “Indeksonline”. “Këtu punojmë afro 200 punëtorë nga Kosova, Maqedonia Veriore, Bosnja e Hercegovina… Që nga ora 21:30 të mbrëmjes së të martës e deri sot – kemi qenë të strehuar në bunkere… Jemi në gjendje gadishmërie, të veshur me ‘pancira’ dhe shlema… Fal zotit, të gjithë jemi shëndosh e mirë”, ka thënë ai.
Fahriu bënë vërejtje përse disa portale të cilat kanë shkruar se ka viktima në mesin e punëtorëve tanë. “Kjo më ka prekur…”, tha ai.
Për qytetarët e Kosovës që gjenden në Irak gjatë ditës ka folur edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
“Shumë qytetarë të Kosovës punojnë në bazat ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, përfshirë ato që kanë qenë shënjestër e sulmeve të mbrëmshme iraniane. Puna është duke vazhduar për të identifikuar të gjithë kosovarët, por informatat e para janë që dhjetëra kosovarë punojnë në këto baza.
Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve dhe në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme.
Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shendoshë e mirë”, ka shkruar ai.