Loading...

Gjykata Themelore në Ferizaj, të premten, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor, Veton Abazi.

VIDEO

Ky dënim me pëlqimin e të akuzuarit është shndërruar në dënim me gjobë në shumë prej 600 euro.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësja Hakile Ilazi, pasi që i akuzuari Abazi, në këtë shqyrtim fillestar e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Gjykatësja Ilazi, ka njoftuar se në dënimin e shqiptuar, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e ka kaluar në paraburgim, prej 29 majit, e deri më 28 qershor 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Abazi, është obliguar të paguajë shumën prej 50 euro, në emër të paushallit gjyqësor dhe fondit për kompensim t­ë viktimave.

Pala e dëmtuar, Ruzhdi Abazi, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Gjykatësja Ilazi ka njoftuar se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Në këtë shqyrtim fillestar, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdet Avdiu, i akuzuari Abazi ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Unë nuk kam dashur që kjo të ndodhë, por gjithçka ishte e rastësishme”, ka thënë i akuzuari Abazi.

Një pranim i tillë i fajësisë ka marr përkrahjen edhe të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Miftar Islami, i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Avokati Islami, ka deklaruar se pranimi i fajësisë nga i mbrojturi i tij, është bërë në mënyrë vullnetare dhe pas konsultimeve të mjaftueshme me të si mbrojtës.

Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të llojit të dënimit të shqiptohet një dënim me kusht, pasi që sipas tij, do të arrihet qëllimi i dënimit, duke marrë parasysh faktin se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë dhe është penduar thellë për veprimet e tij, i cili edhe ka premtuar se nuk do të përsërisë më veprime të ngjashme.

Po ashtu, ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar as nga prokurori Valdet Avdiu dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësja Hakile Gashi, me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Në këtë seancë, gjykatësja Ilazi ka marr vendim që ndaj të akuzuarit Abazi të ndërpritet masa e paraburgimit, duke aprovuar kështu propozimin e avokatit Islami.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 19 qershor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Veton Abazi, në drejtim të bashkëkryerjes së veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 par.2 lidhur me par 1 pika 1.4 dhe neni 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 29 maj 2019, rreth orës 15:30, në fshatin Godanc i Epërm, Komuna e Shtimes, në oborrin e të dëmtuarit, i akuzuari Veton Abazi, bashkë me të miturin A.A, pas një fjalosje me të dëmtuarin Ruzhdi Abazi, lidhur me qasjen në rrugën e lagjes, e godet këtë të fundit me lopatë në kokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga kjo goditje të dëmtuarit Ruzhdi Abazi, i janë shkaktuar dëmtime të lehta trupore të përshkruara si në ekspertizën mjekoligjore të 10 qershorit 2019.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Loading...



Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.