Mëngjesin e sotëm, i pari i Ferizajt, Agim Aliu priti në takim pianistin e suksesshëm ferizajas, Arlind Lamaxhema, i cili është kurorëzuar me disa çmime në gara të ndryshme ndërkombëtare. Ai në këtë takim shoqërohej nga profesori i Shkollës së Muzikës “Çesk Zadeja”, Rinor Aliu.
Në këtë takim, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i shprehu mbështetjen e plotë të tij dhe qeverisjes lokale dhe stimulimin e talentëve përmes programeve të ndryshme që ofrohen nga drejtoria e arsimit dhe ajo e kulturës, rinisë dhe sportit. Ai madje tha se nxënësit si Arlindi gjithmonë duhet të përkrahen dhe të motivohen në mënyrë që qyteti ynë të jetë i përfaqësuar gjithmonë në gara të ndryshme ndërkombëtare.
Gara e fundit në të cilën mori pjesë Arlindi ishte ajo e solo këndimit dhe pianos në Tetovë ku rrëmbeu edhe çmimin e parë. Ai thotë se është i motivuar që karrierën e tij, ta vazhdoj edhe në të ardhmen në mënyrë që t’i sjell suksese Ferizajt.
Se muzikën e ka pasion e ka thënë Arlindi. Ai madje ka shtuar se do të jetë pjesë edhe shumë ngjarjeve të tilla, por që do t’ia dal ngase e ka përkrahjen e familjes dhe të shkollës. Madje shprehet i lumtur që me këtë sukses e ka bërë krenare jo vetëm familjen, por shkollën, qytetin edhe vendin. Ndërsa mësimdhënësi i tij, Rinor Aliu i cili ka thënë konkurrenca ka qenë shumë e fortë, por që sipas tij sukseset nuk mungojnë kur ka një angazhim të dukshëm. Këtë sukses nuk e ka pritur, por që këtë e ka bërë Arlindi, i cili siç thotë është njeri i skenës. Ai ditëve në vazhdim do të jetë pjesë edhe shumë koncerteve brenda dhe jashtë Kosovës.