Aktori kosovar, Kastriot Hetemi, është një tjetër emër i orientuar nga kinematografia turke.
Pas sukseseve në disa festivale ndërkombëtare, aktori nga Mitrovica, synon që të bëhet pjesë e projekteve kinematografike në Turqi.
Shumë shpejt, ai do të udhëtojë në shtetin turk, ku edhe do të fillojë përgatitjet për marrjen e leksioneve në Akademinë e aktrimit “35 Buçuku” në Stamboll.
I njëjti, muaj më parë ka nënshkruar një para-kontratë me një prej agjencioneve më me nam në Turqi, e cila merret me menaxhimin e disa prej aktorëve më të njohur turk.
Pritet që shumë shpejt edhe Kastrioti të jetë pjesë e këtij agjencioni të njohur.
Përndryshe, herën e fundit ku publiku shqiptar pati mundësinë ta shohë aktorin në fjalë, ishte seriali “Pleqtë”.
Ndërkohë, një nga paraqitjet e tij më të suksesshme mbetet ajo në shfaqjen “Pendimi”, shfaqje e cila ka përfaqësuar Kosovën në Festivalet ndërkombëtare të Teatrove si në “Yonna Festival – Youth on Stage”” – Belgjikë, “International Youth Theater Festival” – Bullgari, etj. /Telegrafi/