auto thumbnail 20181130 1035381620052121 850x4781 1 560x416 - Asamblistët e pavarur kërkojnë nga 600 euro në vit për kryetarët e fshatrave të Ferizajt

Kuvendi Komunal i Ferizajt në fund të javës së kaluar me shumicë të votave ka marrë vendim që përfaqësuesit e fshatrave të paguhen nga 300 euro brenda vitit kalendarik për realizim të aktiviteteve të tyre në interes të qytetarëve.

Por, kuvendarët e pavarur në Kuvendin Komunal po vazhdojnë ta kundërshtojnë vendimin e komunës, me arsyetim se shuma prej 300 euro nuk mjafton për aktivitetet që i zhvillojnë kryetarët e fshatrave.

Amir Rexhepi, kuvendar i pavarur në KK të Ferizajt, ka thënë për KOHEN se vazhdon ta kundërshtojë vendimin e komunës për stimulim të kryetarëve të fshatrave. Sipas tij, 300 euro në vit për kryetarët e fshatrave nuk mjaftojnë as për shpenzime të rrugës për dorëzim të kërkesave të banorëve në Komunë.

Andaj ai, ka sugjeruar komunën të gjenden forma në mënyrë që ata t’i marrin nga 600 euro brenda vitit.

“E kemi kundërshtuar shumën prej 300 euro për kryetarët e fshatrave dhe vazhdojmë që qëndrojmë mbrapa deklarimeve tona sepse ato mjete nuk mjaftojnë për kryetarët e fshatrave duke e ditur se ata realizojnë peticione, kërkesa e takime të shpeshta me qytetarët në interes të përgjithshëm. Prandaj, kërkoj edhe një herë që ekzekutivi t’i shikojë mundësitë që shuma prej 300 euro të rritet në 600 euro ose të paguhen edhe me meditje për secilin përfaqësues të fshatit”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, komuna e ka të drejtën dhe mundësinë që 45 përfaqësues të fshatrave të stimulohen edhe në mënyra të tjera, derisa kanë një rëndësi të veçantë në ngritjen e halleve të qytetarëve nëpër lokalitete.

Po ashtu edhe Muhamet Halili, këshilltar i pavarur në KK të Ferizajt, ka thënë se është mirë të përpilohet edhe një rregullore e brendshme në kuadër të udhëzimit administrativ për pagesa të përfaqësuesve të fshatrave.

“Përmes kësaj rregullore ka mundësi që edhe anëtarët e këshillave të fshatrave të marrin mëditje apo të paguhen për aktivitete në interes të përgjithshëm. Pra unë propozoj që 3 deri në 5 anëtarë të kryesisë së fshatrave të paguhen me mëditje për çdo aktivitet”, ka thënë Halili.

Ndërkohë Aurora Ramadani, drejtoreshë për Administratë në Komunën e Ferizajt, ka thënë se në bazë të udhëzimit administrativ, përfaqësuesit e fshatrave mund të paguhen vetëm me 300 euro brenda një viti.

“Udhëzimi administrativ 02/2019 ka përcaktuar çështjen e pagesave apo kompensimin e përfaqësuesve të fshatrave për punën e tyre nga buxheti i komunës. Pastaj pika dy thotë që kompensimi të bëhet në shumën ekuivalente të anëtarëve për komitete obligative dhe pika 3 specifikon se kompensimin për pjesëmarrje në takime bëhet vetëm për gjashtë takime të mbajtura brenda vitit kalendarik”, ka thënë Ramadani.


www.foxshop-ks.com