Edhe pse fundjavë, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi dhe drejtorët komunal, atë të infrastrukturës, Arbër Bytyçi dhe të urbanizmit e mjedisit, Lulzim Aliu, kishin zgjedhur Fshatin e Vjetër, gjegjësisht projektin e asfaltimit të rrugëve në këtë fshat për të filluar një sezon dinamik të projekteve kapitale në gjithë territorin e Ferizajt.

Banorët e Fshatit të Vjetër, të gëzuar për këtë projekt madhor për lokalitetin e tyre, mirëpritën të parin e Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ekipin e tij, mirëpritje që e dallon këtë komunitet. I pari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me banorët e këtij fshati përshkuan rrugën e asfaltuar dhe atë në proces të asfaltimit. Ndër të tjera ai duke shprehur vlerësimin më të lartë për bashkëpunimin në shumë projekte me këtë komunitet, tha se përveç këtij projekti, pra të asfaltimit të rrugëve, në kuadër të projeksioneve buxhetore, Fshati i Vjetër në vitin 2020 do të ketë një shkollë të re.

“Është një përzgjedhje që kemi bërë sot për të shtruar katër rrugë në Fshatin e Vjetër. Nuk është një përzgjedhje e rastësishme sepse dëshirojmë që të japim edhe një porosi për të gjithë qytetarët që po fillojmë me projektet e reja, po fillojmë me pranverë, sepse edhe kushtet atmosferike kanë siguruar që të ketë mbarëvajtje të punimeve. Do të kemi shumë projekte për Ferizajn por e thashë kemi filluar me Fshatin e Vjetër edhe për arsye se është një komunitet që shumë bashkëpunues, shumë i angazhuar dhe ju e dini që edhe kohë më parë, së bashku me komunitetin këtu, kemi pasur edhe projekte tjera, projekte ambientale dhe për atë thashë se është një prej komuniteteve shembull dhe dëshirojmë që shembujt e këtij komuniteti t’i gjejmë sa më shumë, kudo nëpër fshatra dhe lokalitete në pjesën urbane. Sot, po asfaltojmë katër rrugë që afërsisht janë në dy kilometra gjatësi, është vlera diku afro 100,000 euro, me gjerësi prej 5 metra dhe uroj që ta gëzojnë qytetarët, respektivisht banorët e Fshatit të Vjetër këtë rrugë. Ajo që mund t’i siguroj banorët e Fshatit të Vjetër është se ashtu siç kemi bashkëpunuar në projektet e së kaluarës, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Madje, kohë më parë unë kam pritur në një takim pune, udhëheqësit e shkollës në Fshatin e Vjetër, ne edhe në mandatin e kaluar kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me komunitetin e Fshatit të Vjetër siç theksova, dhe do të vazhdojmë edhe me krijimin e ambienteve të reja. Unë tashmë ju kam premtuar, nuk jemi në fushatë elektorale, por ju kam premtuar që në vitin 2020, në kuadër të projeksioneve buxhetore do të kenë një shkollë të re. Ky është një lloj shpërblimi për bashkëpunimin që kemi me komunitetin e Fshatit të Vjetër, por edhe për arsyen tjetër se Fshati i Vjetër është një fshat që ka vazhdueshëm shtim mekanik të popullsisë dhe sigurisht se projektet tona duhet të përshtaten, qoftë për infrastrukturën rrugore ashtu edhe për atë shkollore” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.