Mbajnë protestë katër orëshe
Shoqata Sindikale e Kontrollerëve të Trafikut Ajror sot do të mbajë grevë katër orëshe, duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 12:00, për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në ligjin për pagat.
Përmes një njoftimi, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka bërë të ditur se për shkak të grevës së SINKON-it nuk mund të ofrojë shërbime të navigimit ajror për fluturimet që realizohen në këtë interval kohor.
SINKON do të vazhdojë me grevë edhe nesër (e premte) nga ora 08:00 deri në ora 16:00 dhe pasnesër (e shtune) nga ora 08:00 deri në ora 20:00. Ndërsa, dje kjo shoqatë ka mbajtur grevë një orëshe.
Artan Hasani, kryetari i sindikatës së kontrollorëve ajror, ka thënë se greva e tyre do të sjellë probleme të mëdha në trafikun ajror. “Me miratimin e ligjit për paga neve si Agjenci na cenohet autonomia e institucioneve dhe ne jemi shprehur kundër këtij ligji”, ka thënë ai.
Më 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Pagat. Teksti në përgjithësi më amendamentet e propozuara në Projektligji për pagat në sektorin publik u votua me 63 vota pro asnjë kundër dhe një abstenim.