Skender Topalli kohë më parë është shpërngulur në lagjen “7 shtatori” në Ferizaj. Ai thotë se kur kishte marrë leje në komunë për ndërtimin e shtëpisë, i kishin siguruar atij që aty nuk do të bëhet ndërtim i lartë, raporton KTV. Por, tash së fundi shumë afër shtëpisë së tij komuna ka dhënë leje për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe. Edhe banorët e tjerë të lagjes së re po i kundërshtojnë ndërtesat kolektive, duke thënë që kjo po u sjell telashe të mëdha. Ata thonë se komuna nuk i ka shqyrtuar ankesat e tyre. Nga organizata ‘INPO’ thonë që nuk janë kundër ndërtimeve të larta, por kundër mënyrës se si Komuna e Ferizajt ka hartuar planin Zhvillimor Komunal, duke mos i informuar qytetarët për të. Por, drejtori i Urbanizmit në këtë Komunë, Lulzim Aliu, thotë se gjithçka është duke u bërë në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe se i kanë trajtuar të gjitha ankesat. Sipas tij, meqë me këtë plan nuk mund të jepen kushtet ndërtimore, atëherë përdoret Ligji i ndërtimeve, sipas të cilit jepen kushtet ndërtimore, sipas gjendjes reale në terren.