Në kuadër të këtij bashkëpunimi ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka qëndruar në Ferizaj ku ka takuar kryetarin Agim Aliu si dhe ka vizituar edhe hapësirën e destinuar nga komuna për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Në takimin e përzemërt me z Aliu dhe bashkëpunëtorët e tij, ministri Beqaj e ka falënderuar për përkushtimin e treguar nga Komuna e Ferizajt për realizimin e projektit të përbashkët për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës së Inovacionit në qytetin e Ferizajt.
Pas takimit ministri Beqaj dhe kryetari Aliu kanë vizituar hapësirën e destinuar për Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Në fund të kësaj vizite ministri Besim Beqaj ka deklaruar se bashkëpunimi me komunën e Ferizajt po rezulton me një projekt konkret dhe të rëndësishëm për qytetarët e Ferizajt.
“Qendra e Inovacionit në Ferizaj ka për synim që t’i trajtojë të gjitha idetë inovative, prej fazës së parainkubimit, deri në fazën e avancimit të tyre. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka fonde të pamjaftueshme edhe për ta rinovuar edhe për ta paisura këtë qendër. Në bashkëpunim me komunën do të përkrahim edhe ide konkrete inovative”, tha ministri Besim Beqaj.
Ndërsa kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu u shpreh falënderues për vizitën e ministrit Beqaj dhe për interesimin për të realizuar projekte të përbashkëta. “Sot jemi pikërisht në vendin ku ne si komunë kemi vendosur që kati i parë i ish-Qendrës së Kulturës, tashmë do të shndërrohet në Qendrën e Inovacionit dhe Teknologjisë. Ka hapësira të mjaftueshme pikërisht për t’u funksionalizuar kjo Qendër e Inovacionit. Ne si komunë do të përmbushim në afat sa më të shpejtë obligimet që kanë të bëjnë me hapjen e kësaj qendre” theksoi Kryetari Aliu.