Ndonëse është duke u ndërtuar spitali i ri regjional i Ferizajt, në atë të vjetrin janë investuar rreth 100 mijë euro për aparatura dhe administratë, raporton KTV .
Drejtues të tij thonë se ky investim ka qenë i domosdoshëm, por opozita në këtë qytet konsideron se është investim i panevojshëm.
Rreth 100 mijë euro janë investuar në spitalin rajonal të Ferizajt.
Këto investime janë bërë në aparatura dhe administratë.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Faton Zeqiri, ky investim ka qenë i domosdoshëm për përmirësimin e kushteve për pacientët.
Zeqiri thotë se pacientët tash i kanë kushtet më të mira dhe se shumica e investimeve bëhen nga donatorë të jashtëm.
Edhe pacientët shprehen të kënaqur me kushtet që i kanë tash, pas investimeve të fundit.
Ata thonë se këto investime kanë qenë më se të domosdoshme.
Por, për opozitën në këtë komunë, këto investime janë të panevojshme, meqë sipas saj, pas 3 vjetësh ndërtohet objekti i ri i spitalit.
Spitali i ri i Ferizajt ka filluar së ndërtuari në maj të këtij viti dhe pritet të përfundojë pas tre vjetësh.
Për këtë janë investuar më shumë se 10 milionë euro. Për mënyrën e ndërtimit të tij, ka bërë thirrje që të hetohet edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.