12 2 - Drejtoria e Arsimit në Ferizaj distancohet nga mbrëmja e organizuar për maturantët

Dje gjatë ditës është raportuar për mbrëmjen e cila po organizohet për maturantët e shkollave të mesme të Ferizajt që bën bashkë disa nga artistët më të njohur në vend si Tayna, Butrint Imeri, Mc Kresha, Lyrical Son, Gjiko, Labi dhe Buta.

Mësohet që ky organizim nuk kishte të bëjë me institucionet e arsimit, pasi kjo është bërë nga kompanitë private dedikuar maturantët e shkollave të mesme, ndërsa bileta për këtë mbrëmje kushtojnë 20 euro për person.

Ndërsa sot, Drejtoria e Arsimit është distancuar nga ky event duke apeluar tek prindërit që të kenë kujdes dhe ta shqyrtojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre që sipas tyre është i paligjshëm.

Drejtoria e Arsimit të komunës së Ferizajt ka mbajtur takim me drejtorët e shkollave të mesme, Policinë e Kosovës dhe Këshillin e Prindërve në të cilin diskutuan rreth këtij organizim.

Poashtu Drejtoria e Arsimit të komunës së Ferizajt ka lëshuar një komunikatë për media më të cilën ka bërë të ditur se distancohet nga ky event si dhe ka apeluar te prindërit që të kenë kujdes dhe të shqyrtojnë lejen për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre.

“Duke qenë si i tillë një organizim që nuk ka mbështetjen dhe iniciativën nga Drejtoria e Arsimit, madje ka edhe një kosto të lartë për xhepin e nxënësve dhe prindërve të tyre, në dakordim të plotë edhe me përfaqësuesit e prindërve si dhe drejtorët e shkollave, konfirmoi se Drejtoria e Arsimit, Këshilli i Prindërve dhe drejtorët e shkollave të mesme në Ferizaj distancohen nga ky organizim meqenëse nuk janë organizatorë të saj, si dhe apelojnë tek prindërit që të kenë kujdes e ta shqyrtojnë lejen e pjesëmarrjes së fëmijëve të tyre në ngjarje të këtilla” thuhet në komunikatë.


www.foxshop-ks.com