Varianti i coronavirusit Omicron së fundmi është paraqitur edhe në Mal të Zi, njëri nga shtetet që është në kufi me Kosovën, teksa tek ne ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar me këtë variant.
Nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë bërë të ditur se rezultatet e mostrave të dërguara jashtë vendit pritet të vijnë në fund të javës së ardhshme.
Zyrtarja për informim në IKSHPK-së, Era Pireva deklaroi për Telegrafin se po presin këto rezultate, teksa tha se deri më tani në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara me Omicron.
“Rezultatet nga sekuencionimi i mostrave pozitive te SARS-CoV-2 priten diku kah fundi i javës së ardhshme. Deri më tani nuk kemi raste të konfirmuara me variantin Omicron në Kosovë nga mostrat e dërguara për sekuencionim jashtë Kosovës”, tha Pireva.
Derisa në vendet e rajonit e në Evropë situata me COVID-19 është duke u përkeqësuar, situata me pandeminë në Kosovë është e qetë tash e disa javë.
Nga Ministria e Shëndetësisë për Telegrafin kanë thënë se nëse nuk respektohen masat antiCOVID-19 dhe nëse vaksinimi nuk bëhet në ritëm të lartë situata mund të përkeqësohet.
“MSh dhe IKSHPK po analizojnë në vazhdimësi situatën me COVID-19, me qëllim që ajo të mos përkeqësohet. Për këtë qëllim po bëhet edhe thirrje për vaksinim të popullatës dhe janë në fuqi edhe masat që kanë për qëllim kufizimin e përhapjes së COVID-19”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, nga MSH-ja kanë bërë thirrje që kujdesi të jetë maksimal dhe të respektohen masat antiCOVID-19.
“Kujdesi duhet të jete maksimal, sepse përkundër që Kosova ka situatën për momentin të qetë, ajo mund të përkeqësohet nëse masat nuk zbatohen dhe vaksinimi nuk vijon në ritëm më të lartë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.