Më 20 mars të këtij viti rreth orës 17:30 afër “Parkut të Lirisë” në Ferizaj, vetura e policisë ka goditur qëllimisht një motoçiklist. Edhe pse pamjet e këtij momenti janë filmuar dhe publikuar në rrjete sociale, ende asnjë zyrtar policor nuk është suspenduar nga puna.
Madje, nga rajoni i policisë në Ferizaj këtë moment e kanë vlerësuar si aksident.
Bile, zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Agim Gashi, pati thënë se ishte motoçiklisti ai që e goditi veturën e policisë dhe rrezikoi sigurinë e të tjerëve në trafik. Prandaj, policia kishte hapur rast ndaj tij për “vozitje të rrezikshme pa helmetë” dhe lëndën e tij e kishte dërguar në Gjykatë.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Ferizaj për këtë rast, por nga kjo prokurori thanë se për rastin në fjalë e kanë autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës, për të marrë veprimet e nevojshme hetimore.
Nga Inspektorati thanë se kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast, pa treguar nëse është marrë ndonjë masë ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast.
“Inspektorati Policor i Kosovës posedon pamjet që tashmë janë publikuar në rrjete sociale. Lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së kanë iniciuar hetimet sipas detyrës zyrtare (ex officio) dhe kanë kontaktuar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Një kopje e këtij rasti i është dorëzuar Inspektoratit Policor të Kosovës nga Policia e Kosovës përderisa veprimet e tjera hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.