trusti10 720x3781 1 560x378 - Faqja e re për aplikimin e 10% në Trustin Pensional

Faqja e re për aplikimin e tërheqjes së 10 për qindshit nga Trusti Pensional është https://bentenapp.azurewebsites.net/ 

Zëdhënësi i Trust-it, Jeton Demi tha për KALLXO.com se për shkak të cenimit të protokollit të sigurisë e kemi pezulluar aplikimin në trusti10.org.

Aplikimi ka filluar nga ora 15:00 por që u përcoll me vështirësi teknike.

Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Një ndër nenet e këtij ligji, ua mundëson qytetarëve të tërheqin në mënyrë të parakohshme deri në 10% të mjeteve të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).

Të gjithë kontribuesit të cilët nuk e dinë se sa para i kanë në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, mund të krijojnë një llogari online në “eTrusti” duke u regjistruar KËTU.

Pasi të keni krijuar llogarinë, të keni ngarkuar dokumentin e kërkuar (letërnjoftimin, pasaportën, ose patent shoferin), duhet të shtypni butonin “dërgo”.

Qasja online në llogarinë tuaj do të autorizohet më së largu brenda 24 orëve pasi ta keni krijuar llogarinë në “eTrusti”.

Pasi të keni marrë autorizimin, ju mund të qaseni dhe të shikoni se cila është shuma e cila është grumbulluar ndër vite nga kontributi juaj në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Për të parë se sa është shuma e kursimeve pensionale të cilën mund ta tërhiqni nga llogaria, shumëzoni shumën totale të cilën e keni në llogari me 0.10 (shembull: nëse shuma e kursimeve pensionale në llogarinë tuaj është 3000 euro atëherë 3000 x 0.10 = 300 euro. Shuma të cilën ju do ta tërhiqni nga kursimet pensionale është 300 euro).

Pra, numri që del si rezultat i shumëzimit të shumës totale të kursimeve që e keni në llogari me 0.10, është shuma që do ta tërhiqni nga kursimet pensionale.

Personat me të ardhura më të larta dhe me përvojë pune më të gjatë kanë më shumë para të kursyera, rrjedhimisht këta persona do të kishin mundësinë që të tërheqin shuma më të mëdha parash.

Pas miratimit në lexim të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti.

Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, dhe më pas publikohet në Fletoren Zyrtare, ai hyn në fuqi. Atëherë Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka njoftuar se do t’i bëj të ditura të gjitha detajet e aplikimit për tërheqjen e 10%-shit.

Të gjitha detajet e aplikimit mund t’i lexoni dhe t’i ndiqni në faqen zyrtare të Trustit.

 

Në seancën e sotme janë shqyrtuar 18 amandamente në lidhje me Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, disa prej të cilave kanë kaluar e disa jo.

Neni 12 i Ligjit për Fondet Pensionale përcakton që kur kontribuesi arrin moshën e pensionimit (65 vjeç), ajo apo ai do të bën blerjen e kursimeve pensionale. Megjithatë, plotësimi i këtij ligji si pjesë e pakos për rimëkëmbje shton disa pika, ku ndër tjera përcaktohet se kontribuuesi mund t’i tërheq 10 për qind të kursimeve pensionale me rastin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, dhe fondet e tërhequra do të jenë të përjashtuara nga tatimi në të ardhurat personale.

Pas 6 tentimeve, më 12 tetor, Kuvendi e miratoi në parim, në lexim të parë, ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, ku përfshihet edhe ndryshimi ligjor që mundëson tërheqjen e 10% të bilancit nga Trusti.

Qeveria Hoti prezantoi programin për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë, i cili synon të ofrojë mbështetje për sektorin privat dhe kompensim për humbje të shkaktuara nga pandemia. Mirëpo, pjesa e këtij programi që tërhoqi më së shumti vëmendje nga qytetarët është ajo për rritje të kërkesës që praktikisht do tu mundëson atyre tërheqjen e parakohshme të një pjese të kontributeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trust-i).

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka nën menaxhim 2,140,991,440 euro. Numri i llogarive të hapura që nga fillimi është 700,975 kurse aktualisht janë 365,954 llogari aktive.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është institucion publik i pavarur dhe jo-për-profit, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. FKPK është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale.

FKPK është institucion i themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.


www.foxshop-ks.com