Ferizaj, 1 nëntor – Ka vazhduar sot mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e ndërprerë gjatë ditës së djeshme. Që në fillim të saj kryesuesja, Kristina Gashi-Bytyçi, e hodhi në votim propozim-vendimin për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit të shërbimeve shëndetësore e sociale në mes Komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosovës, përkatësisht rikthimin e projektit.
U tha se vlera e këtij projekti do të jetë 320 mijë euro, nga të cilat 300 mijë euro do të financojë Komuna e Ferizajt, ndërsa Caritas Kosova 20 mijë euro. Kjo pikë e rendit të ditës mori 22 vota, por pjesë e vazhdimit të kësaj mbledhje nuk ishin anëtarët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes.
Në këtë mbledhje u mor vendim që të formohet edhe komisioni për emërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike në Komunën e Ferizajt.
Nga Partia Demokratike e Kosovës u propozua Faik Sylejmani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Përparim Çalaj, nga Aleanca Kosova e Re u propozua Vesel Ramadani, ndërkaq nga Drejtoria e Urbanizmit do të jetë Fatbardha Ajeti, vendet e rezervuar në këtë komision i ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja.