Edicioni i 46-të i Festivalit tradicional “Kosovarja këndon” do të mbahet sot, duke filluar nga ora 20:00 ne Teatrin “Adriana Abdullahu” të Ferizajt.
Festivali i interpreteve të muzikës popullore “Kosovarja këndon”, është ndër më unikët në vend, pasi përveç interpretimit live të këngëtareve, pjesë e tij janë vetëm këngëtaret- vajzat/gratë.
Sabit Pajaziti, përgjegjës për Kulturë në Departamentit e Kulturës në Komunën e Ferizajt ka thënë për Kallxo.com se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për nisjen e edicionit të 46-të të festivalit “Kosovarja këndon”.
“Është një festival unik pas marrin pjesë vetëm këngëtaret vajza/gra, interpretohet live dhe përcjellet nga orkestra e zgjedhur ‘Kastriotët’ e Ferizajt”, ka pohuar Pajaziti, duke shtuar se “Kosovarja këndon” është festival që ruan dhe kultivon traditën e muzikës popullore shqiptare.
Festivali “Kosovarja këndon” mbahet tradicionalisht në qytetin e Ferizajt që nga viti 1972.
Festivali ka karakter garues dhe do të ndahen pesë çmime. Tri çmimet e para, si dhe çmimi special “Nexhmije Pagarusha” dhe çmimi i gazetarëve.