Komuna e Ferizajt në kuadër të aktiviteteve për ta shënuar Ditën e Çlirimit ka përuruar edhe projektin për ndërtimin e Parkut Memorial të UÇK-së në fshatin Jezerc, në vlerë prej 400 mijë euro.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë qytetarë, deputetë dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme lokale e qendrore.
“Prandaj është dita jo vetëm për të uruar, që është ditë gëzimi e krenarie, por mbi të gjitha është edhe ditë lavdie ku sot ne përulemi para gjakut të dëshmorëve, heronjve, martirëve por edhe përulemi para sakrificës së secilit veteran e invalid të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot, po e nisim një projekt tepër të rëndësishëm, Parkun Memorial të Ushtrisë Çlirimtare në Jezerc, i cili përfshinë çdo pëllëmbë të territorit të Jezercit, të gjitha këto pëllëmbë të shkelura nga ushtarë, dëshmorë e heronj gjatë ditëve më të lavdishme të luftës çlirimtare”, ka thënë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, tha se liria e pavarësia do të ishin të mangëta pa përkujdesjen që po i bëhet historisë e kultivimit të saj, përmes projekteve që e përjetësojnë atë ndër gjenerata.
“Pa diskutim që liria e pastaj pavarësia do të ishte e mangët, po qe se nuk do të përkujdeseshim për ta ruajtur dhe kultivuar historinë. Ky vend ku jemi këtu dhe vet Kosova ka kaluar në faza shumë të rëndësishme e të rënda historike. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vet UÇK-ja e kanë dhënë vulën që solli lirinë dhe pavarësisë e Kosovës. Duhet theksuar pikërisht këtu, se UÇK-ja pa aleatë të fuqishëm, veçanërisht pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta kishte shumë të vështirë, do të ishte një proces që do të tejzgjatej për ta arritur atë çfarë kemi arritur”, ka thënë mes tjerash Reçica.