banknotes c belga1 560x416 - Ferizaj, vuri në qarkullim 100 euro false – Gjykata e dënon me dhjetëfishin e tyre

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj A.R, i akuzuar se ka vënë në qarkullim një kartëmonedhë prej 100 eurosh, por e cila ka rezultuar të jetë e falsifikuar.

Ai është dënuar me gjashtë muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e tij, ky dënim është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 1000 euro, të cilën është obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të merr formën e prerë.

Po ashtu, ai është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të kompensimit të fondit të viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me kërkesën pasurore – juridike, ai është liruar nga ky obligim, meqë i dëmtuari ka hequr dorë.

Kurse, lidhur me kartëmonedhën, e njëjta do të konfiskohet në mënyrë të përhershme.

Ndryshe, një ditë më parë, gjykatësja Hysnije Gashi e ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit që të mos i përmendet emri i plotë në raportime, duke marr vendim që mediat atij t’i referohen vetëm me iniciale.

Ndërkaq, në seancën e së martës, para se të shpallej aktgjykimi, palët kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, ka thënë se pas administrimit të provave është vërtetuar fakti se me veprimet e të akuzuarit janë konsumuar të gjitha elementet e veprës penale të falsifikimit të parasë, nga neni 302, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ai i ka propozuar trupit gjykues që të akuzuarin ta shpall fajtor për këtë vepër penale, dhe t’i shqiptojë një sanksion penal me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.

“Se kartëmonedhën e ka vënë në qarkullim, ky fakt nuk është kontestuar as nga vet i akuzuari. Gjithashtu nuk ka qenë kontestues fakti se kartëmonedha është e falsifikuar, i cili edhe është konfirmuar nga raporti i AKF-së, mirëpo i vetmi fakt që është dashur të vërtetohet ka qenë se i akuzuari a e ka ditur se a është paraja e falsifikuar apo jo. Edhe pse ky është një fakt subjektiv, të cilin i akuzuari nuk e ka pranuar se e ka ditur, por nga rrethanat faktike është e padyshimtë fakti se i akuzuari e ka ditur që paraja është e falsifikuar dhe e ka vënë në qarkullim si të vërtetë me rastin e pagesës së karburanteve në Hib Petrol. Ky përfundim është i logjikshëm dhe i saktë duke u nisur nga kualiteti i letrës së kartëmonedhës prej 100 euro, i cili ka qenë aq i dobët saqë edhe një person me përgatitje shumë të ulët arsimore do ta vërente, si dhe nga prekja e kësaj kartëmonedhe e cila do ta vënte në dyshim që ajo është e falsifikuar. Andaj të gjitha këto rrethana vërtetojnë pretendimin e prokurorisë se i akuzuari e ka ditur se kartëmonedha është e falsifikuar, dhe me dashje e ka vënë në qarkullim si të vërtetë”, ka deklaruar Maloku.

Kurse, në fjalën përfundimtare të dhënë nga i akuzuari, ai ka shprehur keqardhje për faktin që gjendet në këtë situatë, me arsyetimin se ishte hera e parë e tij që ishte rënë ndesh me ligjin, si dhe i ka premtuar gjykatës që do të jetë më i kujdesshëm në të tjera raste.

“Atë ditë nuk kam pasur kohë ta shoh kualitetin e kartëmonedhës sepse kam qenë duke i grumbulluar paratë dhe nuk e kam vërejtur se e kujt apo në çfarë gjendje është kartëmonedha. I propozoj gjykatës që nëse më gjen fajtor, të më shqiptoj një dënim sa më të butë”, ka thënë i akuzuari A.R.

Sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2018, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri A.R akuzohet se më 26 gusht të vitit 2017, rreth orës 14:57, në pompën e derivateve “Hib Petrol”, në Ferizaj, kishte vënë në qarkullim paranë e falsifikuar si të vërtetë, në atë mënyrë që kishte mbushur veturën e tij me derivate në vlerë prej 50 euro, duke paguar me kartëmonedhë në vlerë prej 100 euro, edhe pse i njëjti e kishte ditur që kjo kartëmonedhë ishte e falsifikuar.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i parasë”, nga neni 302, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


www.foxshop-ks.com