Edhe Komuna e Ferizajt është shprehur e pakënaqur pasi qeveria ka vendosur masa kufizuese si shkak i përhapjes së madhe të coronavirusit.
Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Bekim Ademi ka thënë për RTV Dukagjinin se Ferizaj është duke i respektuar masat e vendosura nga qeveria.
“Ne si Shtab Emergjent kemi konsideruar se këto masa nuk janë me kritere të duhura duke ditur se ato do të dëmtojnë mjaft shumë bizneset e Ferizajt. Ferizaj është komuna e dytë në Kosovë që kontribuon në buxhetin e shtetit, andaj konsiderojmë se këto masa janë jashtëzakonisht të rënda dhe jo të analizuara mirë sa duhet”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ademi thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte të ketë më shumë ekipe të inspektorëve dhe policëve që do të inspektonin lokalet e gastronomisë dhe qendrat tregtare që mendohet se janë përhapësit kryesor të virusit.
Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj thotë se për shkak të shtimit të numrit të prekurve si komunë janë duke shtuar kapacitetet spitalore.
“Momentalisht në komunë tonë kemi mbi 400 raste aktive me coronavirus”, shtoi më tej Bekim Ademi.