Komuna e Ferizajt për herë të parë në Kosovë ka nisur zbatimin e platformës “online” për regjistrim dhe ofrimin e shërbimeve të ndryshme për biznese të reja, dhe gjithashtu ka nisur t’i sistemojë të gjitha bizneset aktuale në këtë platformë digjitale.
Në kuadër të kësaj platforme, bizneset do ta kenë mundësinë në mënyrë elektronike të pajisen me çfarëdo lloj dokumenti që i nevojitet atyre, po ashtu nëpërmjet saj mund edhe ta shuajnë biznesin e tyre në mënyrë elektronike, dhe mund ta ndryshojnë veprimtarinë e punës së tyre.
Për hartimin e kësaj platforme është kujdesur Agjencia për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës, ndërkohë në Ferizaj ka nisur për herë të parë, derisa në këtë komunë numërohen mbi 12 mijë biznese aktive.
Zekir Bytyqi, drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë është digjitalizuar i tërë sistemi, ndërkaq do të ketë shërbime të reja dhe lehtësuese për bizneset.