Ferizaj, 18 korrik – Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi, hapi sot diskutimin publik për Rregulloren komunale për varrezat, ofrimin e shërbimeve të varrimit, rregullimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Me këtë rast ajo tha se ky akt paraqet qasjen e qeverisjes lokale që edhe këtë segment të rëndësishëm shoqëror ta rregullojë me dispozita ligjore.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu tha se Komuna e Ferizajt përmes kësaj rregullore përfundimisht do të zgjidhë një problematikë të kahershme, siç është rregullimi dhe mirëmbajtja e varrezave. Ai shtoi se varrezat e reja të qytetit në Fshatin e Vjetër janë të parapara në blloqe për secilin besim fetar dhe të tjerë, duke siguruar dukjen e njëllojtë të vendvarreve, infrastrukturën e nevojshme mjedisore e rrugore, që përfundimisht qyteti ynë të ketë varreza të dinjitetshme.
Të pranishmit, përfaqësues të bashkësive fetare në Ferizaj përgëzuan dhe mbështetën pushtetin lokal në këtë nismë, që përfundimisht do t’i ofrojë kushtet e përshtatshme dhe dinjitetin e varrezave të qytetit.