auto 2 gursel sylejmani15489335571 560x416 - Galeria e Arteve në Ferizaj hap konkursin për çmimin 'Gursel Sylejmani'

Në Galerinë e Arteve në Ferizaj, më datën 16 shkurt, do të mbahet ekspozita e cila do të mbledhë artistë që do të garojnë për çmimin tradicional “Gursel Sylejmani”. Çmim ky që tashmë është bërë tradicional dhe ndahet çdo vit nën vlerësimin e jurisë së përzgjedhur.

Në mes të tjerash, në njoftim shkruhet se pjesë e këtij konkursi mund të bëhen të gjithë artistët e artit pamor që janë mbi moshën 19-vjeçare.

Artisti mund të konkurrojë më një vepër arti qoftë skulpturë, pikturë, grafikë, vizatim, fotografi, dizajn dhe vepra të tjera arti, kurse është paraparë edhe dimensioni i veprës i cili nuk do të duhej të jetë më i madh se 120 centimetra horizontalisht.

Rregulli tjetër që kërkohet është që vepra të mos jetë e promovuar më parë, të jetë në gjendje të rregullt teknike dhe të ketë të shkruar emrin, mbiemrin, titullin e punimit, teknikën, vitin dhe dimensionet. Punimet do të vlerësohen nga juria profesionale, kurse njëri nga çmimet fituese do të shpërblehet me të ashtuquajturin çmimin blerës “Gursel Sylejmani” me vlerë prej 700 eurove. Punimet do të duhet të dorëzohen në Galerinë e Arteve në Ferizaj edhe atë në orar të caktuar, duke filluar nga ora tetë e mëngjesit e deri në orën katër të pasdites. Konkursi do të jetë i hapur deri më datën 13 shkurt.

Galeria e arteve në Ferizaj dhe SHAF “Zef Kolombi” ka vite që e organizojnë një aktivitet të tillë, kurse qëllimi i ekspozitave është t’i kushtohen manifestimit të 17 Shkurtit, që shënon Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Vitin e kaluar ky aktivitet është mbajtur nën patronatin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Kjo ekspozitë tashmë është tradicionale dhe organizohet që nga viti 2008 dhe po mbahet sot e 11 vjet me radhë.

Vitin e kaluar zyrtarë komunash dhe vlerësues arti kanë konsideruar që kjo ekspozitë ka karakter të veçantë dhe konsiderohet si ngjarje e rëndësishme që bëhet në prag të shënimit të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Pranvera Sylejmani, e bija e dëshmorit Gursel Sylejmani, vitin e kaluar pati falënderuar të gjithë artistët që me punimet e tyre kanë kontribuar që kjo ekspozitë të jetë e një niveli të kënaqshëm dhe që një traditë e tillë po vazhdon për vite. Përparim Behluli ishte fitues i çmimit “Gursel Sylejmani” në vitin 2018 dhe ishte shprehur tejet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që përzgjodhën punimin e tij dhe e nderuan me emrin e dëshmorit Gursel Sylejmani.


www.foxshop-ks.com