Ministri federal i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn nga CDU-ja, dëshiron të rekrutojë specialistë specifikisht nga Evropa Juglindore për të luftuar mungesën e burimeve njerëzore në infermieri.
Në një prononcim për “Bild am Sonntag”, ai ka thënë se potenciali më i madh i profesionistëve të rinj në këtë fushë është në Kosovë dhe Shqipëri.
“Atje, edukimi për infermieri është shpesh më i mirë se që e mendojmë”, tha ai. Megjithatë, sipas tij, ekziston problemi i vizave, raporton Koha.net.
“Kjo më shqetëson. Këta profesionistë të trajnuar shpesh duhet të presin deri në 10 muaj për një vizë për në Gjermani. Na duhet ta përshpejtojmë këtë proces”, theksoi ministri gjerman, Spahn.
Ai theksoi Gjermania ka nevojë për rreth 50 mijë punonjës shtesë të kujdesit shëndetësor. “Na duhet të kërkojmë edhe jashtë vendit”, tha ai, ndërsa shtoi se është e vështirë të drejtohet një spital apo shtëpi e kujdesit në Gjermani pa infermierë të huaj.
Ministri federal i Punës, Hubertus Heil nga SPD-ja, planifikon të prezantojë leje-qëndrim gjashtëmujor në mënyrë që infermieret e huaja të mund të gjejnë punë.
“Të huajt që dëshirojnë të punojnë si kujdestarë shëndetësorë duhet t’u lejohet të vijnë në Gjermani për gjysmë viti. Kushti: nuk do të përfitoni asnjë cent nga sistemi i sigurimit social, dhe nëse nuk gjeni punë të përhershme si kujdestar pas gjashtë muajsh, duhet të largoheni”, tha Heil për të njëjtën gazetë gjermane, raporton Koha.
Heil ka thënë po ashtu se dëshiron të rris pagat e infermierëve vitin e ardhshëm.