Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e testit të maturës, ku këtu hyjnë edhe përpilimi i pyetjeve dhe lidhja e kontratave me administratorët e testit.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, i cili në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se këtë herë risi është edhe dizajni i testeve, i cili do të jenë me ngjyra.
Këtë vit testi i maturës do të mbahet në katër regjione, në katër ditë të ndryshme, ku pyetjet e testit nuk do të jenë të njëjta, por do të jenë ekuivalente për nga vlera.
“Pyetjet janë bërë nga ekspertët, kuptohet me mbikëqyrje të divizionit. Shumica e tyre janë në përfundim e sipër edhe pjesa e dizajnimit. Do të jetë një dizajnim krejt tjetër i testit në krahasim me vitet e kaluara. Do të thotë edhe forma, dizajni komplet i testit do të jetë ndryshe, por do t’i dallojmë kësaj radhe edhe ngjyrat për secilin regjion, në mënyrë që t’i ikim mundësisë së keqpërdorimeve brenda klasave, sepse ka ndodhur që më herët nxënësit të heqin pjesët e mesme të fletëve dhe t’i dërgojnë diku për keqpërdorim. Kjo nuk do të mund të ndodhë tash se është me ngjyrë dhe do të vërehet. Pastaj, administratorët do ta kenë për detyrë që të kontrollojnë secilin test a i ka të gjitha fletët, nëse një test është i dëmtuar atij maturanti do t’i anulohet testi. Jemi duke i bërë të gjitha masat në mënyrë që vetëm atë që e dinë nxënësit ta pasqyrojnë në rezultate të testit”, ka thënë ai.
Për të shmangur çdo formë të kopjimit gjatë testit të maturës, komisioni ka marrë vendim që për nxënësit dhe për administruesit e testit të ndalohet posedimi i telefonit gjatë ditës kur do të mbahet testi.
Në rast se gjatë ditës së testit, nxënësit apo administratorët do të zihen me telefon apo duke tentuar të manipulojnë do të ketë ndëshkime.
“Për nxënësit masat janë ku e kemi marrë një vendim edhe nëse zihen duke kopjuar, por edhe nëse kanë telefon, rastësisht nëse iu gjendet telefoni sepse do të kontrollohen para se të hyjnë në qendrat e testimit, por nëse rastësisht iu gjendet telefoni do të humbin për këtë afat testin e maturës, do t’iu anulohet testi. Ndërsa, administratorët nëse rastësisht zihen duke keqpërdorur detyrën e tyre, kurrë nuk do të mund më të jenë pjesë e çfarë do administrimi, çfarë do vlerësimi të jashtëm që bënë Ministria e Arsimit… Kuptohet edhe sipas ligjit dhe sipas udhëzimit administrativ përveç që iu humb ato do të iniciohet procedura sipas udhëzimit administrativ”, ka bërë të ditur Hysenaj.
MAShT me të gjithë administratorët ka bërë kontrata përmes të cilave iu ka bërë e qartë atyre se nëse do të keqpërdorin detyrën do të humbin të drejtën për administrim të çfarë do llojë testi në të ardhmen.
Ndërsa, sa i përket asaj që testi do të mbahet me regjione, kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, thotë se kjo është bërë me qëllimin që të arrihen rezultate sa më reale dhe të ketë një administrim sa më të mirë të provimit.
Hysenaj bëri të ditur se për administrimin e testit MAShT ka angazhuar 2 mijë e 15 administrator, ndërsa do të ketë edhe organizata të tjera që iu është lejuar të marrin pjesë në administrimin e testit.
Sipas tij, edhe numri i nxënësve nëpër klasa gjatë mbajtjes së provimit do të jetë i kufizuar, ku në një klasë nuk mund të jenë më shumë se 15 nxënës.
“Ne jemi detyruar ta marrim këtë vendim për hirë të asaj që të ketë një administrim më të mirë dhe më të lehtë nga institucionet të cilat janë të interesuara edhe ta monitorojnë. Ne kemi pasur një kërkesë më herët nga Komisioni për Arsim i Kuvendit të Kosovës që ta monitorojnë edhe ata procesin e natyrës dhe ne kemi marrë një vendim që i kemi lejuar të monitorojnë. Normalisht që është edhe një vendim edhe i disa shoqatave që kanë pasur kontrata me MASHT-in që të kenë mundësi. Kemi edhe kërkesa të tjera dhe ne do t’i lejojmë të gjithë se jemi të interesuar që ky proces të jetë sa më transparent i mundshëm. E vetmja objektivë është që të përmirësohet administrimi dhe ne secilën prej shkollave nxënësit më të mirë të dalin të parët në test”, ka thënë ai.
Këtë vit, MAShT ka marrë vendim që nxënësit të mos paguajnë shumën prej 5 eurove për t’iu nënshtruar testit të maturës, e kjo mos pagesë nga nxënësit sipas Hysenajt nuk ka ndikuar në organizimin e testit.
Për më tepër, ai e quan lajm të mirë largimin e asaj pagese, ndërsa bëri të ditur se kanë gjetur formën e pagesës për administratorët.
“Nuk e kemi vlerësuar, por edhe nuk ka pasur bazë në ligj që të vendoset pagesë këtë vit, por paraprakisht jemi siguruar që të gjejmë alternativën për pagesën e administratorëve dhe këtë e kemi gjetur me zyrën e financave të MASHT-it. Të gjitha gjërat janë duke shkuar sipas planifikimit… Kur është bërë planifikimi i buxhetit është planifikuar që në kuadër të asaj pagese që bëjnë nxënësit të paguhen administratorët, mirëpo zyra e buxhetit është zotuar se ne nga zëra të tjerë buxhetor do t’i paguajmë, ka thënë ai.
Provimi i maturës shtetërore do të ketë 200 pyetje, ku kalueshmëria e këtij testi është 40 përqind dhe për secilin regjion pyetjet do të jenë të ndryshme.
Sikurse çdo vit edhe këtë herë testi do të jetë i ndarë në dy ditë, ku në ditën e parë testi do të jetë nga lëndët e përgjithshme gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë angleze, ndërsa ditën e dytë do të kenë pyetje varësisht nga profili i shkollimit të tyre.
Provimit të maturës shtetërore së pari do t’i nënshtrohet regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit, ku në këtë regjion testi i parë do të mbahet më 28 maj, ndërsa testi i dytë më 5 qershor.
Vetëm një ditë më pas më 29 maj provimit të parë të maturës do t’i nënshtrohet regjioni i Prishtinës, ndërsa, testin e dytë do ta mbajë më 6 qershor. Më 30 maj testin e parë, ndërsa më 7 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës.
Kurse, më 31 maj testin e parë dhe më 8 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Pejës dhe Mitrovicës.
Provimit të maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 29 mijë e 816 nxënës në të gjithë Kosovën.