auto Agim Ademi Dorentina Thaqi15500934491 560x416 - Gjykata dënon mësimdhënësin nga Ferizaj që kërcënoi gazetarët e Grupit Koha

Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti i përgjithshëm, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për dhënien e urdhrit ndëshkimor ndaj të akuzuarit (mësimdhënësit R.M) nga Ferizaj i cili më 12.02.2019 ka ngacmuar, shantazhuar e kërcënuar gazetarin e “Kohës Ditore” Agim Ademi dhe gazetaren e KTV-së Dorentina Thaqi.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë midis të tjerash thuhet se i akuzuari (R.M) është fajtorë dhe ka kryer vepër penale Ngacmimi nga neni 186 par. 1 lidhur me par. 4 të KPRK-së.

“I akuzuari R.M me anë të sjelljes së vëmendjes të vazhdueshme dhe të padëshirueshme, me qëllim ngacmimi dhe frikësimi, me datën 12.02.2019, rreth orës 13:00, si dhe dy herë të tjera para kësaj date, ka shkuar në redaksinë e grupit ‘Koha’ në Prishtinë, duke i kërkuar të dëmtuarit gazetarin Agim Ademi dhe Dorentina Thaqi, që të takohen me të njëjtit, lidhur me një shkrim të publikuar në gazetën ‘Koha Ditore’ dhe në KTV, lidhur me një rast të sulmit, ku i dyshuari R.M kishte sulmuar një kolegë të tij në shkollë, për çka të dëmtuarit janë ndier të frikësuar dhe të shqetësuar emocionalisht”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Andaj Gjykata në bazë të neneve 7, 17, 21, 41,43,46,73 të KPRK-së, si dhe neneve 365 dhe 495 të KPPRK-së të Republikës së Kosovës, të pandehurit i shqiptoi dënimin me gjobë prej 500 eurosh, të cilin dënim është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 ditësh.

Nëse dënimi i shqiptuar në të holla nuk mund të ekzekutohet, gjykata dënimin me gjobë në bazë të nenit 46 par 3 të KPRK-së, do ta zëvendësojë me dënim me burg, ku një ditë burgim do të llogaritet me 20 euro gjobë.

“Obligohet i akuzuari që të paguaj shpenzimet, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 30 euro në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të dëmtuarit Agim Ademi dhe Dorentina Thaqi, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil”, thuhet midis të tjerash në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq në arsyetimin e këtij aktgjykimi midis të tjerash thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i përgjithshëm me aktakuzë e ka akuzuar R.M për shkak të veprës penale ngacmimi nga neni 186 par 1 lidhur me par 4 të KPRK-së dhe njëherësh nga gjykata ka kërkuar dhënien e urdhrit ndëshkimor, me arsyetim se ka prova të besueshme nga kallëzimi penal lidhur me besueshmërinë e akuzës së propozuar në drejtim të vërtetimit të fakteve, se i akuzuari vërtetë e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Gjyqtari individual, me rastin e shqyrtimit paraprak të çështjes, konform nenit 493, të KPPRK-së, gjeti se janë plotësuar kushtet nga nenin 495, të KPPRK-së dhe pranoi kërkesën për dhënien e urdhrit ndëshkimor si në diapozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet më tej në aktgjykim.

Kjo gjykatë konsideron se provat e bashkangjitura në shkresat e lëndës, si Kallëzim Penal të Policisë së Kosovës –Stacioni Policor Qendra në Prishtinë, nga deklaratat e të dëmtuarve si dhe nga provat e bashkangjitura në shkresat e lëndës, janë prova të besueshme mbi bazën e të cilës vërtetohet se i akuzuari ka kryer vepër penale për të cilën është akuzuar.

“Duke u bazuar në këto që u cekën më lartë, gjykata konstaton se i akuzuari R.M është penalisht përgjegjës për kryerjen e veprës penale Ngacmimi nga neni 186 par 1 lidhur me par 4 të KPRK-së ngase veprimet e të njëjtit i përmbajnë elementet e kësaj vepre penale. Me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj të pandehurit, gjykata i ka marrë për bazë të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit sipas nenit 74 të KPRK-së”, thuhet më tej në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.


www.foxshop-ks.com