Mbrëmë është dhënë shfaqja “Kontrolli dhe Makina e Dashurisë” në teatrin e qytetit Ferizaj “Adriana”, e cila ishte shfaqje me regji dhe skenar të Besim Ugzmajlit.
Në shfaqje tregohet rrëfimi i një çifti përmes një drame që vë në dyshim moralin dhe vlerat njerëzore me të cilat shoqëria e sotme funksionon.
Përmes një interpretimi të veçantë nga aktorët, prezantohet shoqëria e së ardhmes, që funksionon mbi një moral të ri që e ka imponuar zhvillimi teknologjik.
Shfaqja “Kontrolli dhe Makina e Dashurisë” është fituese e çmimit “Prurje e re për Kompozim Regjisorial” në Festivalin “Talia e Flakës 2020”, ndërsa është prodhim i teatrit të Ferizajt “Adriana”.
Ndryshe pjesë e publikut të shfaqjes së mbrëmshme ishte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me dy këshilltarët e tij, Liburn Jupolli dhe Dorotea Deshishku.