w 12 560x416 - Jezerci, fshati turistik i Ferizajt me mbi 1200 metra lartësi mbidetare

Këto rrugë gjarpërore të shpijnë në zemër të bjeshkëve, aty ku shpirti frymon lirshëm nga qetësia e sytë kënaqen nga bukuria.

Më pak se 20 km larg qytetit të Ferizajt, me mbi 1200 metra lartësi mbidetare, gjendet fshati përrallor i Jezercit, i cili për shkak të pozitës që ka e bukurive që ofron, tashmë është një nga destinacionet më të frekuentuara në të gjitha stinët e vitit.

Përtej peizazhit të bukur që ofron natyra e Jezercit, majat e bjeshkëve, aty ku disa pjesë të Kosovës shihen sikurse në pëllëmbë të dorës, po shfrytëzohen edhe për të ndërtuar atraksione turistike.

I tillë është restoranti “Belle Vue”, tek i cili ishim në vizitën tonë të radhës.

Bukurie Biba – Hoxha thotë se Ajri i pastër, uji, lartësia mbidetare, këto janë krejt ato që e lidhin një vend për me kon i kërkuar edhe i vizituar.

“Prej që u hapë, sezona e parë ka qenë shumë e mirë, ka ecë puna shumë mirë. Njerëzit janë kanë vizitorë të rregullt ktu te na. E kanë pa që edhe ajri edhe uji edhe ushqimi edhe shërbimi ka qenë shumë në nivel. Tash na e kemi kuptu që me të vërtetë ish kan shumë investim me vend, në vendin e duhur në kohën e duhur”, tha ajo.

“Ktu investimi kur u ba, u ba që me lan sa ma shumë dritare, që edhe ata që rrinë brenda me pas pamjen e bukur, me shiju këtë pamje. Pastaj, hapësira e jashtme te lojnat e fmive është shumë e madhe, e gjerë. Familjarët e kanë pjesën e vetë kur janë me fmi të vogël. I kanë fminë para syve, i kontrollojnë ma lehtë, ndihen ma rehat”, tha Hoxha.

Objekti 7-katësh bën që pamja e bukur që servohet, të shijohet deri në skaj. Për eksploruesit e natyrës, e besa edhe për ata të cilët e duan fotografinë, ky vend ofron pamje piktoreske. Pastaj, të gjithë ata që duan t’i ikin përditshmërisë, këtu, me këtë pamje mund të shijojnë edhe ushqimin e veçantë.

“Prej ktu munesh me pa Prishtinën, mundesh me pa ni pjesë të Podujevës, Ferizaj, Shtime, një pjesë të Kaçanikut, një pjesë të Gjilanit edhe krejt fshatrat që i rrethojnë këto qytete. Pamja është shumë e bukur. Ideja kur ka lindë e emrit ka qenë Belle Vue, frëngjisht që do të thotë pamje e bukur. D.m.th vetë vendi ja ka dhanë edhe emrin”,

“Belle Vue është e njohur për tradicionalen. Edhe vetë bjeshkët, vend turistik. Mas pari është tradicionalja pastaj vazhdojmë me krejt llojet e tjera të ushqimit që i kemi këtu”

“Të ardhmen planifikojmë me startu me hotel. Veç jena tu punu për me i bo gati. Pastaj me u zgjeru pjesa tjetër. Sa ma shumë me u zgjeru se kërkesat janë ashtu të mëdha. Për hotel, për pjesën e malit, ajri hala ma i pastër, më bukur”

Reliefi i Jezercit ofron kushte të mira për relaksim, rekreacion e argëtim me biçikletë apo në këmbë nëpër malet e livadhet e shumta, që japin mundësi marshimi në shtigje të gjata e të shkurtra. /RTVDukagjini/


www.foxshop-ks.com