Mbrëmë, në Ferizaj filloi edicioni i katërt i festivalit të muraleve, “Mural Fest”. Festivali do të zgjas deri të dielën dhe Ferizajt këtë vit do t’i sjellë 6 murale të mëdha, që për temë kanë “Tolerancën”. Përveç artistëve vendor, në “Mural Fest” marrin pjesë artistë nga SHBA, Gjermania, Belgjika, Spanja e disa vende të tjera.
Në qytetin e Ferizaj që u themelua 146 vite më parë, pas ndërtimit të linjës hekurudhore Mitrovicë – Shkup, rreth 50 vite më parë, në Hotelin Lybeten, u punua “Murali i Kamarierit”, transmeton rtk. Ky mural që u bë simbol i Ferizajt nuk është i vetmi në këtë qytet. E në kuadër të edicionit të katërt të “Mural Fest”, do të punohen edhe disa murale të reja, bëri të ditur për Radio Kosovën, Lebibe Topalli, drejtoreshë e festivalit.
“Në këtë edicion do të realizohen 6 murale të mëdha. Tema e punimeve është Toleranca. Do të ketë grafite në 3D, ligjërata arti e punëtori, është edhe ekspozita me piktura e fotografi, e realizuar bashkë me nxënësit e Shkollës së Arteve “Çesk Zadeja”, tha ajo.
Sipas Topallit, në këtë edicion të ‘Mural Fest’, përveç artistëve vendor dhe atyre nga vendet e rajonit, po marrin pjesë edhe artist me nam, nga shtet të ndryshme të botës.
“Në gjirin e “Mural Fest” këtë edicion kemi artist të famshëm që vijnë nga vende të ndryshme si Gjermania, Belgjika, Bullgaria e Spanja. Po ashtu, marrin pjesë edhe dy artist nga SHBA-të, që do të realizojnë dy murale në qytetin tonë”, tha Topalli.
Sipas Lebibe Topallit, drejtoreshë e ‘Mural Fest”, në tre edicionet e kaluara, ky festival me karakter ndërkombëtar, Ferizajt i kanë dhuruar rreth 20 murale, të cilat bartin mesazhe të fuqishme artistike.
“Mural Fest” do të zgjas deri të dielën më 14 korrik. Përveç artistëve që do t’i japin ngjyrë Ferizajt, në kuadër të festivalit, nga sot, për tre netë me radhë, prej orës 18, do të ketë edhe koncert në sheshin e qytetit.