Kamerat e përdorura nga specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit, regjistrojnë kafshë që mendoheshin të zhdukura apo të mërguara nga ky mjedis natyror.
Tashmë është një praktikë e re në ndjekjen dhe evidentimin e kafshëve në rrezik zhdukjeje apo të rralla në zonat pyjore të Shqipërisë.
Kohët e fundit këto kamera të fshehura, funksionojnë edhe në Malin e Tomorrit.
Nga kontrolli i bërë në kamerat-kurth të vendosura në këtë park, janë regjistruar filmimet e kafshëve mjaft interesante, transmeton atsh.
Në këtë park ka kafshë të rralla si ariu i murrmë, ujku dhe macja e egër.
“Nga kontrolli i kamerave-kurth në Parkun Kombëtar të malit të Tomorrit, deri më tani rezultojnë kafshë të rralla si ariu i murrmë, mace e egër, derr i egër gjithashtu ka prezencë të madhe të kafshëve si dhelpra, baldosa, lepuri i egër, iriqi etj. Monitorimi i tyre është në vazhdimësi”, bëjnë me dije specialistët e faunës së egër në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Beratit.