Kosova duket se as këtë vit nuk do të arrijë që ta sigurojë bukën për vete. Ndonëse sipërfaqet e mbjella me grurë janë rritur, prapë ato nuk i plotësojnë nevojat e banorëve. Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se korrje-shirjet për këtë vit ende s’kanë përfunduar dhe se nuk dihet ende sasia e grurit të mbledhur, por është e sigurt se edhe këtë vit vendi më i varfër në rajon e ka të detyruar importin prej vendeve të tjera, shkruan Gazeta Express.
Në krahasim me vitin e kaluar, sipërfaqet e mbjella me grurë janë rritur për më shumë se 4 mijë hektarë. Prej 70 mijë e 937 hektarëve sa ishin të mbjella vitin e kaluar me grurë, sivjet janë mbjellë 74 mijë e 313 hektarë.
Kështu thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) për Gazetën Express.
Por, se a do të arrijë vendi që ta sigurojë bukën për këtë vit, në Ministri thonë se një gjë e tillë varet shumë nga sipërfaqja që mbillet me grurë brenda vitit dhe nga rendimenti mesatar që arrihet brenda atij viti.
Isuf Cikaqi, Drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve, në kuadër të MBPZHR-së i ka thënë Gazetës Express se me sipërfaqet që janë të mbjella me grurë dhe nëse arrihet rendimenti mesatar prej 4000 kg/ha, këtë vit do të prodhohen rreth 296,000 tonë grurë.
Me këtë sasi i bie që gruri i mbulon vetëm 72 për qind të nevojave të qytetarëve.
“Një gjë e tillë varet shumë nga sipërfaqja që mbillet me grurë brenda viti dhe rendimenti mesatar që arrihet brenda atij viti. Me sipërfaqet që janë të mbjella me grurë këtë vit dhe nëse arrihet rendiment mesatar prej 4000 kg/ha, atëherë i bie që në total do të prodhohet rreth 296,000 tonë grurë.
Ndërsa, nevojat për grurë në vendin tonë për 1 vit janë 400,000 deri 410,000 tonë dhe këtë nëse e shprehim në përqindje i bie se do të prodhohet grurë në masën 72 % të mbulueshmërisë së nevojave, me kusht nëse krejt kjo sasi e prodhuar konsumohet brenda vendit tonë”, ka thënë Cikaqi për Express.
E mungesës së grurit në vend, më së shumti hajrin do të ia shohin vendet e rajonit prej të cilave Kosova edhe e siguron importin. Edhe këtë vit gruri e mielli do të importohen nga Hungaria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Austria dhe Kroacia.
Për rënien e rendimentit të grurit kishte folur ditë më parë edhe Kryetari i Federatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.
Tahiri kishte thënë se përveç reshjeve, në rënien e rendimentit të grurit po ndikon edhe mosaplikimi i masave të duhura agroteknike, pasi bujqit ende punojnë në mënyrë primitive, për shkak të kushteve jo të mira financiare.
Gjersa kishte shtuar se prodhuesit bujqësorë nuk po kanë leverdi të kultivojnë kultura të grurit, për shkak të çmimit të ulët të grurit dhe sasisë së madhe të importit nga vendet e rajonit, kryesisht nga Serbia.
Ndërkohë në Ministrinë e Bujqësisë thonë se edhe këtë vit kanë bërë subvencionimin e drithërave të bardha në vlerë prej 150 euro për hektarë. Prej 25 milionë eurove sa janë të ndara për subvencione, vetëm për grurë janë ndarë 6 milionë e 750 mijë euro.
“Qeveria – MBPZHR përmes programit të pagesave direkte edhe këtë vit bën subvencionimin e drithërave të bardha në vlerë prej 150 euro /ha. Nga totali i buxhetit për subvencione në vlerë prej 25,000,000.00 euro, vetëm për kulturën e grurit janë të dedikuara 6,750,000.00 euro”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Bujqësisë për Express.
Ndërkohë, edhe ato sipërfaqe që kanë qenë të mbjella me grurë janë dëmtuar gogja shumë.
Nga komunat që kanë pësuar dëme më së shumti në kulturën e grurit nga reshjet e fundit aktualisht janë Lipjani, Ferizaj dhe Shtimja.
E për të ditur vlerën e saktë të dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet në kulturën e grurit, Cikaqi po thotë se do të presin që të përfundojë fushata e korrje-shirjeve.
“Fushata e korrje-shirjeve ende nuk ka përfunduar dhe në momentin që do të përfundojë do të përgatitet edhe raporti përfundimtar, ku do të kemi të dhënat publike mbi rendimentin, sasinë e grumbulluar të grurit, si dhe dëmin e shkaktuar në këtë kulturë bujqësore”, ka thënë Cikaqi.
Por, ndonëse vlera e saktë e dëmeve që janë shkaktuar vërshimet nuk dihen, shefi i Divizionit për Mbrojtjen e Bimëve, Adem Arifaj ka deklaruar se sipas vlerësimeve nga terreni, vlera e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet në bujqësi e kalon shifrën prej shtatë milionë euro.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga reshjet e shiut dhe breshrit nëpër komunat e Kosovës, ndonëse ende nuk e ka përcaktuar shumën e kompensimit, pasi siç është thënë, kjo do të jetë subjekt i analizës dhe mundësive buxhetore.
Krahas kësaj, Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave për krijimin e një fondi të veçantë për vitin 2019 dhe themelimin e Komisionit që do të krijojë sistemin e sigurimeve të prodhimtarisë bujqësore në Kosovë, për ta stabilizuar tregun e bujqësisë në vend dhe për t’i dhënë përkrahje kësaj fushe.
Ndryshe, prej 415 mijë e 683 hektarë tokë të shfrytëzueshme bujqësore sa ka vendi, në vitin 2016 me kultura bujqësore janë mbjellë vetëm 187 mijë e 222 hektarë tokë.
Ndërsa, pjesa më e madhe e kësaj toke, nga qytetarët është lënë livadhe e kullosa.