Të shtunën në mbrëmje një krim i rëndë ka ndodhur në Gjermani. Një 48-vjeçar nga Kosova ka vrarë kunatën e tij 33-vjeçare dhe ka plagosur rëndë vëllaun e tij 38-vjeç. Gruaja 33-vjeçare, raportohet se vdiq rrugës për në spital. Ngjarja tragjike ka ndodhur në Lohne të Bielefeldit. Mediat gjermane raportojnë se i dyshuari kishte shkuar tek ish-banesa e familjes së tij, ku kishte takuar edhe vëllaun me të gruan e tij që kishin shkuar mysafir tek ish-bashkëshortja e dorasit. 48-vjeçari kishte tentuar të hyj brenda banesës, por nuk ishte lënë nga i vëllai. Më pas ai u kthye dhe mori armën me të cilin edhe bëri aktin tragjik. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë ishin disa fëmijë të moshës nga 13 deri në 18 vjeç. Një fqinj i familjes që jetonte një kat më poshtë, ishte dalë për të parë se ç’po ndodhte. Ai pa fëmijët që ishin të tronditur dhe që bërtisnin. Me këtë rast i mori nën mbrojtje fëmijët, duke i thirrur edhe policinë, ambulancën dhe ekipet e tjerë të shpëtimit. Njëri nga fëmijët e tij i mori armën nga duart dhe e hodh jashtë ndërtesës. Aktualisht fëmijët po marrin trajtime psikologjike si pasojë e tronditjes nga ngjarja. 48-vjeçari nga Kosova u arrestua nga policia. Po ashtu në momentin e arrestimit edhe i dyshuari ishte plagosur rëndë. Akoma mbeten të paqarta rrethanat se si ai ishte plagosur. Raportohet se i dyshuari për veprën vjen nga Komuna e Ferizajt. Rasti është akoma duke u hetuar nga Komisioni i Krimeve të qytetit të Bielefeldit.