veteranet 1 11 560x416 - Kundërshtohet amnistia për veteranët ‘mashtrues’

Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që çështja e statusit të veteranëve ta kthehet në pikën zero.

Drejtuesit e kësaj organizate thonë se kjo duhet të bëhet në mënyrë që të sqarohet gjithçka dhe të hiqen dyshimet për veteranët ‘mashtrues’.

Kryetari i Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha për Radion Evropa e Lirë, tash nga gjendja e krijuar, më e mira e mundshme tash është që procesi për verifikimin e veteranëve të bëhet edhe një herë nga e para.

“Veteranët nuk kanë nevojë të aplikojnë prapë, sepse aplikacionet janë brenda dhe ato janë pranë Zyrës së Kryeministrit dhe ne mund të punojmë. Nëse bëhet Ligji për amnisti është një kohë që do të jept 60 apo 90 ditë, që të dorëzohen certifikata nga ata të cilët nuk e ndjejnë veten veteranë dhe që kanë gabuar që kanë aplikuar. Është mirë që të dorëzohen ato certifikata dhe në momentin që dorëzohen ato certifikata, ata hiqen nga listat dhe ne na mbetet shumë më pak punë për të ardhur deri te numri i saktë i veteranëve”, tha Gucati.

Ai tha se është kërkuar nga institucionet e Kosovës që të behet një Ligji për amnisti për ata persona të dyshuar ‘mashtrues’, dhe siç tha ai, deri tani për këtë çështje e kanë mbështetjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë mendoj se me vullnetin e mirë dhe punën që do të bëjnë institucionet e Kosovës, kjo çështja do të zgjidhet shumë shpejt”, tha ai.

Për propozimin e OVL-së është deklaruar edhe presidenti Thaçi, i cili tha se përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së i kanë kërkuan që ai të ushtrojë autoritetin e tij për të dërguar në rivlerësim këtë proces, “duke e thënë se kjo është e vetmja mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta”.

Gucati tha se është e vërtet dhe të gjithë e dinë se ka fryrje të listave të veteranëve.

Nga ana tjetër, në Qeverinë e Kosovës thotë se është e pamundur që procesi i statusit të veteranëve të kthehet në piken zero. Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Gazmend Syla, njëherësh drejtor i Zyrës për kategoritë e dala nga lufta, tha për Radion Evropa e Lirë se përderisa ka një aktakuzë që është në dorën e drejtësisë, nuk mund të merret asnjë vendim tjetër. Sipas tij, tani gjykata e ka në pronësi gjithë dosjen.

“Pa marrë një vendim ata [gjykata], ne nuk mund ta precizojmë diçka se çka do të ndodhë më tutje. Do të thotë, ne presim një vendim të gjykatës, pastaj pas atij vendimi të gjykatës të shohim çka do të ndodhë më tutje. Por, për momentin neve po presim që gjykata të kryejë punët e veta dhe nuk do të ndërhyjmë në drejtësi asnjëherë”, tha Syla.

Sa i takon propozimit për miratimin e një Ligji për amnisti, Syla mendon se diçka e tillë është e pamundur dhe ide e vonuar.

“Po ligjërisht unë mendoj se tash nuk ka kohë për shkak se kjo ishte dashur të ndodhë më herët përpara se të ngritet aktakuza. Tash do të thotë ne e kemi kaluar atë fazë kur është dashur të kërkohet një amnisti. Do të thotë kjo ka është dashur të ndodhë përpara se të ngritet aktakuza, të kërkohet një amnisti prej gjithë atyre që kanë përfituar statusin jashtëligjshëm edhe të jepej një amnisti për ata. Edhe ata do të duhej t’i kthenin certifikatat, në qoftë se i kanë marrë pa meritë, pandershëm ose në forma të ndryshme.Por, tash besoj që ka kaluar ajo fazë. Gjykata po e trajton rastin dhe nuk mundemi tash të kthehemi prapa. Unë mendoj se ligjërisht kjo tash është e pamundshme të ndodhë”, tha Syla. Anëtari i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Sami Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha kjo që tani po kërkohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është e pakuptimtë dhe një lojë, siç u shpreh ai, e rrezikshme. Ai madje thotë se kjo ide e përkrahur edhe nga presidenti Thaçi ka të bëjë edhe me kritikat e ndërsjella mes presidentit dhe kryeministrit.

“Çdo person që në mënyrë të rrejshme gjendet në listën e veteranëve, ai në të vërtetë konsiderohet se ka mashtruar publikun dhe ka marr apo ka vjedhur mjetet publike. Prandaj unë mendoj se edhe kjo loja me një Ligj për amnisti për ata persona, në të vërtet është një lojë shumë e rrezikshme. Kush kërkon ta amnistojë një hajn që ka mashtruar, ka marrë mjetet publike, para, pension, benificione apo privilegje”, tha Kurteshi.

Kurteshi thekson pos tjerash se kjo nismë edhe një përpjekje tjetër e radhës për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Ne të vërtetë është një përpjekje për të ndryrë në drejtësi edhe njëherë siç kanë bërë tash e njëzet vjet të gjitha këto qeveri”, tha Kurteshi.

Në fryrje e listave, sipas Gucatit, nuk ka ndikuar vetëm hierarkia ushtarake, por edhe politika.

“Ne e dimë që janë bërë gabime dhe për këtë arsye po kërkoj kthim në pikën zero dhe ta gjejmë numrin e vërtet të saktë të veteranëve. Po ta pyesim edhe një fëmijë e dinë se ka fryrje të listave. Në fyerjen e listave është edhe politika, nuk është vetëm hierarkia ushtarake”, tha Gucati.

Me herët, OVL e UÇK-së, kishte reaguar pas publikimit të disa listave të veteranëve të rremë, të publikuar nga disa media, duke thënë se në këtë listë bëjnë pjesë edhe shumë ish-luftëtarë që kanë luftuar nën emblemën e UÇK-së.

OVL e UÇK-së ka shprehur zhgënjimin lidhur me atë se si si prokuroria ka bërë gabime të tilla, duke kërkuar përmirësim të menjëhershëm të listave.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar më parë se “ka ngritur aktakuzë, të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si ‘veteranët’, në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur, se aktakuza për rastin e “veteranëve të rrejshëm”, i është kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë për plotësim dhe qartësim.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori, mund të jetë deri në 19 mijë veta.


www.foxshop-ks.com