Luboteni i Ferizajt (meshkujt) dhe Drita e Gjilanit (femrat) do të përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane në volejboll në edicionin e ardhshëm, ndonëse të drejtën e kishin më shumë skuadra. Kampionët në të dy konkurrencat do të garojnë në Challenge Cup, që është niveli i tretë evropian. Shorti për Challenge Cup është tërhequr të mërkurën, ndërsa Luboteni i Ferizajt përballë do të ketë skuadrën turke Maliye Milli Piyango nga Ankaraja, transmeton Koha Ditore. Luboteni do të nisë garimin nga 1/16 e finales. Ndeshja e parë luhet në Ferizaj, në muajin dhjetor. Edhe volejbollistet e Dritës garimin e nisin në 1/16 të finales. Përballë Dritës do të jetë skuadra greke AO Thiras Santorini. Edhe Drita në ndeshjen e parë është vendase, në fillim të dhjetorit, kurse ndeshja e kthimit luhet në mes të dhjetorit.