39631 560x416 - Makinat elektrike në Europë tejkalojnë një milionëshin

Në Europë ka sot më shumë se një milion makina elektrike, pasi shitjet u rritën me më shumë se 40 për qind në gjysmën e parë të vitit.

Sipas shifrave më të fundit, Europa ka arritur këtë shifër thuajse një ditë pas Kinës, që ka një treg më të madh makinash, por para Shteteve të Bashkuara, që pritet të arrijnë shifrën e një milion makinave elektrike më vonë këtë vit, kryesisht për shkak të oreksit të shtuar për modelin më të fundit të Teslas.

Nga janari deri në qershor, rreth 195 mijë makina elektrike janë shitur në të gjithë BE-në, Islandë, Lihtenshtajn, Norvegji dhe Zvicër, një rritje prej 42 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Me rritjen e shitjeve, numri total pritet të shkojë në 1.35 milionë deri në fund të vitit, sipas analistëve. Sipas këtyre të fundit, një milion makina elektrike në Europë është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt elektrifikimit dhe plotësimit të objektivave për emetimet, por sidoqoftë nuk është i mjaftueshëm.

Shifrat përfshijnë makina plotësisht elektrike, por edhe makina hibride, që mund të udhëtojnë në distanca të shkurtra me bateri, para se të kalojnë te motori konvencional. Pavarësisht se shitjet e makinave po rriten, ato sidoqoftë përbëjnë vetëm 2 për qind të të gjitha makinave të reja që regjistrohen në Europë.

Norvegjia kryeson në këtë fushë me 36.500 makina elektrike të shitura. Vendi ka qenë prej kohësh në pararojë për sa u takon makinave elektrike, kjo falë edhe nismave bujare të qeverisë. Sidoqoftë, numri i rritur i makinave elektrike në Gjermani tregon se, tregu më i madh i makinave në Europë pritet ta lërë pas Norvegjinë deri në fund të vitit. Holanda dhe Danimarka kanë shënuar po ashtu rritje, por Britania e Madhe nuk po e ndjek ritmin.


www.foxshop-ks.com