Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agroni Bajraktari, priti sot në takim Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Rexhep Hoti dhe Zëvendësministren e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Leonora Morina – Bunjaku.
Gajtë takimit Rektori Bajraktari dhe Koordinatori Hoti, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për avancimin e pozitës së studentëve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik.
Marrëveshja ka për qëllim përcaktimin e angazhimeve të ndërsjella të palëve në realizimin e projekteve konkrete në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit në Republikën e Kosovës, e cila synon përforcimin e kapaciteteve intelektuale, kulturore e sportive të studentëve kosovar, si dhe promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të interesit të përbashkët të të dyja palëve.
Rektori Bajraktari falënderoi koordinatorin Hoti për mundësinë që po ua jep studentëve për realizimin e aktiviteteve sportive, kulturore dhe edukative, si dhe ofroj mbështetje në përmbushjen e këtij programi. Po ashtu, para tij shpalosi historikun e Universitetit, si dhe të arriturat dhe sfidat që ka pasur.
Ndërsa, Ministri Hoti u nda i kënaqur nga ky takim dhe premtoj se do të angazhohen që aktivitetet e përfshira në këtë Marrëveshje të zbatohen në mënyrën më të mirë të mundshme.
UShAF do të kontribuoj në këtë program duke siguruar pajisje, mjete të ndryshme sportive në gara të ndryshme, sigurimin e hapësirave të Universitetit për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, si dhe do të bëjë koordinimin me organizatat studentore të Universitetit, në mënyrë që të inkurajoj bashkëpunimin dhe aktivitetet e ndryshme vullnetare.
Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim ta bëjë më atraktiv mësimin dhe të nxjerrë talentë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik, si dhe në sport. Për të tria fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës.