Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.
Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike.
Me masat e reja kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, ndërkaq shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00, raporton Ferizaj24.
Ky është vendimi i Qeverisë me të gjitha masat anti-COVID:
V E N D I M
Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19
A. [Zbatimi territorial]
1. Ky vendim zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
B. [Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]
2. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
2.1 Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës
Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;
2.2 Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
3. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.2
lirohen:
3.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh dhe që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja kufitare;
3.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19;
3.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
3.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;
3.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të KFOR;
3.6 Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;
3.7 Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë (7) ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës;
3.8 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, të administruar jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
3.9 Personat nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.
C. [Mbrojtja dhe siguria në punë]
4. Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve publike qendrore e lokale, i bizneseve private, organizatave, si dhe subjektet tjera, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës:
4.1 Certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;
4.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë;
5. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, institucioneve publike, private, si dhe subjektet tjera, është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 deri 4.2.
6. Punëdhënësit publik e privat, si dhe subjektet tjera obligohen që mbështetur në nevojat dhe natyrën e punës së tyre, të identifikojnë dhe të përcaktojnë stafin esencial, si dhe të organizojnë punën vetëm me këtë staf.
7. Punëdhënësit publik dhe privat, si dhe subjektet tjera udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial, sipas nevojave të punëdhënësit.
Ç. [Masat e përgjithshme të mbrojtjes dhe higjienës]
8. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera, të mbajnë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objektit si dhe në ambientet e brendshme.
9. Obligohen institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektimin e distancës prej një (1) metër dhe shenja promovuese për vaksinim sipas dizajnit të Ministrisë së Shëndetësisë.
10. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura.
11. Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç:
11.1 Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes;
11.2 Gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike;
11.3 Gjatë ngrënies apo pijes.
12. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.
13. Obligohen të gjitha institucionet publike e private, si dhe subjektet tjera që të caktojnë një punonjës që do të monitorojë zbatimin e masës të përcaktuar në pikën 12 dhe posedimin e dëshmive sipas pikës 4.1 dhe 4.2.
D. [Kufizimi i qarkullimit]
14. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç:
14.1 Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi);
14.2 Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike;
14.3 Personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës;
14.4 Personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit;
14.5 Personave ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas pikës 16, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.
15. Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtorët e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 14 të kenë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar në banesat e tyre.
16. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme mundet që të lëshojë leje të veçantë, për persona të cilët ofrojnë dëshmi të mjaftueshme për domosdoshmërinë që kufizimi i qarkullimit të orarit të ju zgjatet përkohësisht.
Dh. [Institucionet e arsimit]
17. Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKSHPK të datës 20.01.2022..
18. Procesi edukativ-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor zhvillohet në përputhje me Udhëzuesit të MAShTI për organizimin e procesit mësimor në kushtet e pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukative-arsimore vendosin për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.
19. Procesi mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, si dhe në institucionet aftësuese dhe të arsimit joformal, mund të zhvillohet me prani fizike me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.
20. Studentët në mënyrë që të ju mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
21. Studentët në institucionet publike dhe private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
22. Stafi në të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, duke përfshirë institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2, në mënyrë që të ju lejohet hyrja në objektin e institucionit.
23. Nëpunësi më i lartë administrativ, apo pozita ekuivalente, i çdo institucioni sipas pikës 20, 21 dhe 22, është i obliguar me vendim të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 4.1 ose 4.2.
24. Të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
E. [Paraqitja për skemat sociale dhe pensionale]
25. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.
26. Përveç nëse përcaktohet ndryshe në këtë vendim, lejohen grumbullimet në ambiente të mbyllura deri në tridhjetë (30) persona (punëtori, mbledhje, seminare, trajnime apo grumbullime tjera). Përveç atyre nën moshën 12 vjeçare, obligohen pjesëmarrësit që të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 dhe pikën 26.2 në mënyrë që të ju lejohet hyrja në këto ambiente, si dhe organizatori obligohet të siguroj distancën fizike prej një (1) metër në mes të personave dhe kontrollimin e dëshmive përkatëse si:
26.1 Certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza ose një dozë të vaksinës Janssen kundër COVID-19;
26.2 Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19,
jo më të vjetër se 48 orë;
27. Mbledhjet e Kuvendit dhe të Qeverisë lejohen pavarësisht numrit të personave, duke u respektuar mbajtja e maskave dhe distanca fizike prej një (1) metër në mes të personave.
28. Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Shëndetësisë mundet që të lëshojë leje të veçantë, që tejkalon numrin prej tridhjetë (30) persona, për ngjarje të rëndësisë së veçantë në funksion të interesit publik.
29. Lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore, në ambiente të jashtme deri në pesëdhjetë (50) persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1 metër në mes të personave dhe paraqitjen e dëshmive të evidentuar në pikat 26.1 ose 26.2 përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare.
30. Pavarësisht pikës 28 dhe 29, për koncerte dhe festivale me publik në këmbë vlejnë ndalesat e përcaktuara në pikën 34.
31. Ceremonitë dhe ritet fetare lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në 50% të kapacitetit shfrytëzues me kusht që posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 26.1 ose 26.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç pjesëmarrësve nën moshën 12 vjeçare.
32. Ndalohet mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë.
33. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej një (1) metër nga njëri-tjetri.
G. [Ndalimi i veprimtarive dhe organizimeve të caktuara]
34. Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gj. [Gastronomia]
35. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Klientët dhe stafi i gastronomisë duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 26.1 ose 26.2 në mënyrë që t’u lejohet hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve, në përputhje me udhëzuesin përkatës, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
36. Në lokalet e gastronomisë është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.
37. Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në pesëdhjetë (50%) e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në shtatëdhjetë (70%) e kapacitetit të hapësirës. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet.
38. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit.
39. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në kuadër të lokaleve të shërbimeve të gastronomisë në të cilën lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve, përveç:
39.1 Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i lokalit:
39.2 Ndërsa paguan porosinë;
39.3 Gjatë shkuarjes apo kthimit nga tualeti;
39.4 Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.
40. Në rastet nga pika 39.1 deri 39.4 është e obliguar bartja e maskës.
41. Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00.
42. Muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30.
43. Përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër.
44. Pjesa e prapme e një karrigeje, me pjesën e prapme të karriges tjetër duhet jenë në
distancë së paku një (1) metër.
45. Në hapësirat e mbyllura lejohen deri në 4 persona në tavolinë. Në rast se tavolinat janë më të mëdha se dy (2) metra, atëherë parakusht është kufizimi prej pesë (5) persona në 10 m2.
46. Në hapësirat e jashtme lejohen deri në gjashtë (6) persona në tavolinë apo banak.
47. Çdo tavolinë duhet të jetë e pajisur me dezinfektues që përmbajnë së paku 60% alkool.
48. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 21:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK) dhe masa rigoroze të higjienës për veturën, porositë dhe personelin.
H. [Qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomik]
49. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës.
50. Obligohen të gjithë operatorët, të cilët për veprimtari ekonomike e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – një (1) person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët.
51. Klientët dhe stafi në qendra tregtare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
52. Subjekti që menaxhon me qendrën tregtare është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2. dhe atë në secilën hyrje të qendrës tregtare.
I. [Puna me palë]
53. Në institucionet publike, private dhe subjekte tjera, punonjësit/personeli i cili ka punë me palë/kontakt të drejtpërdrejtë me klientë (duke përfshirë, por duke mos u kufizuar, berberë, vozitësit e taksive, punonjësit në markete dhe banka etj.), duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në vendin e punës. Obligohet të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2. Inkurajohet pranimi i pagesave në formë elektronike, në vend të keshit.
54. Personi përgjegjës i institucionit publik, privat apo i subjekteve tjera, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse mbahet distancë fizike prej të paktën 1 metër nga grupet e tjera të personave.
J. [Transporti publik dhe ndërkombëtar]
55. Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë.
56. Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.
57. Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.
58. Stafi dhe pasagjerët e transportit publik duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’u lejohet veprimtaria, respektivisht udhëtimi në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
59. Secili operator është i obliguar të caktojë një apo më shumë persona përgjegjës në çdo mjet të transportit publik, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.
K. [Teatrot, bibliotekat, etj.]
60. Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një (1) metër në mes të personave.
61. Shfrytëzuesit e veprimtarive sipas pikës 60, duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare.
62. Në veprimtaritë sipas pikës 60, duhet të caktohet me vendim një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.
L. [Sporti dhe rekreacioni]
63. Lejohen organizimi i garave sportive dhe stërvitjeve përkitazi me protokollet dhe rekomandimet e organizatave botërore për organizimin e ngjarjeve sportive dhe me masat mbrojtëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
64. Numri i pjesëmarrësve në garë (sportistë, klube, zyrtarë, dhe pjesëmarrës tjerë të nevojshëm për zhvillimin e garës) përcaktohet nga federatat sportive duke respektuar masën e distancës dhe masat tjera mbrojtëse. Në aktivitetet garuese në hapësira të mbyllura dhe të hapura nuk lejohet prania e shikuesve.
65. Mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.
LL. [Banjat termale]
66. Për të hyrë në banja termale, klientët dhe stafi duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e përcaktuara në pikën 26.1 ose 26.2 të këtij Vendimi, përveç atyre nën moshën 12 vjeçare. Obligohet caktimi i të paktën një punonjësi i cili do të kontrollojë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura në pikën 26.1 ose 26.2.
M. [Tregjet dhe therja e kafshëve]
67. Tregjet publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve lejohet të zhvillojnë veprimtarinë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse. Obligohet mbajtja e maskës dhe vendosja e tezgave në distancë fizike prej të paktën dy (2) metra.
N. [Të dhënat personale dhe mënyra e kontrollimit të dëshmive sipas pikës 4.1 deri 4.2]
68. Caktimi i personave të autorizuar apo punonjësve të autorizuar për kontrollimin e dëshmive sipas pikën 26.1 ose 26.2, bëhet përmes vendimit ku përcaktohet emri dhe mbiemri i personit të autorizuar. Këta persona duhet të jenë të identifikueshëm përmes kartelës/shenjës identifikuese dhe emrat e tyre të afishohen në hyrje të institucionit, qendrave tregtare, lokaleve të gastronomisë
dhe cilitdo biznes tjetër.
69. Prezantimi i dëshmive të përmendura në pikën 26.1 ose 26.2, bëhet në një formë e cila nuk lejon që personat e autorizuar ose shërbimet e autorizuara për të kontrolluar posedimin e tyre, t’i mbajnë, t’i ruajnë, t’i regjistrojnë apo përpunojnë të dhënat që përbëhen në dëshmi në çfarëdo forme, përpos nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin
e këtyre të dhënave.
70. Personat e autorizuar dhe të caktuar me emër, për të kontrolluar dëshmitë përmendura në pikën 26.1 ose 26.2, në rastet kur subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij në formë të shkruar për përpunimin e këtyre të dhënave, nuk lejohen t’i mbajnë të dhënat ose ripërdorin ato për qëllime të tjera, përveç për konstatimin e posedimit të dëshmive, në interes të shëndetit publik dhe për
qëllimet e vetme për të luftuar përhapjen e pandemisë COVID-19.
Nj. [Udhëzuesit dhe sqarimet]
71. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që të përditësojë udhëzuesit e përkohshëm, të përgjithshëm dhe të veçantë për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, si në vijim:
71.1 Udhëzues i Përkohshëm për aplikimin e masave të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e COVID-19;
71.2. Udhëzues i Përkohshëm për sektorin e shërbimeve personale dhe bizneseve, industrisë, administratës publike dhe OJQ-ve;
71.3. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet arsimore të të gjitha niveleve;
71.4. Udhëzues i Përkohshëm për gastronomi, hoteleri, sektorin e shitjes dhe qendra tregtare;
71.5. Udhëzues i Përkohshëm për tubimet fetare, varrime, punëtori dhe aktivitete kulturore;
71.6. Udhëzues i Përkohshëm për fitnese, palestra dhe aktivitete tjera rekreative dhe sportive;
71.7. Udhëzues i Përkohshëm për transportin publik dhe ndërkombëtar;
71.8. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet e kujdesit shëndetësor;
71.9. Udhëzues i Përkohshëm për aviacionin civil;
71.10. Udhëzues i Përkohshëm për institucionet korrektuese, qendra të azilit dhe të mbajtjes për të huaj;
72. Udhëzuesit nga pika 71 janë të detyrueshëm për të gjithë personat dhe sektorët
ndaj të cilëve zbatohen.
73. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që në rast nevoje të nxjerr sqarime për pikat e
këtij Vendimi.
O. [Zbatimi]
74. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUV dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente komunale, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën l6:00).
75. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, ShSKUK dhe IKShPK të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike dhe parashikimet për dy javët në vijim.
76. Obligohet Ministria e Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.
77. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave, vendimeve të tjera dhe udhëzuesve përkatës në zbatim të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
78. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.
79. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për kategoritë respektive për të cilat aplikohet ky vendim, vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
P. [Shfuqizimi i vendimit Nr. 02/46]
80. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr. 02/46, i datës 30.11.2021.
Q. [Hyrja në fuqi]
81. Vendimi hyn në fuqi më 22 janar 2022, dhe vlenë deri më datën 4 shkurt 2022.