Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka shënuar edhe një rezultat konkret në kujdesin dhe mbrojtjen e shëndetit publik dhe qytetarëve ndaj dukurive të dyshimta.
Kjo pas vendosmërisë së ekzekutivit të komunës për t’i luftuar dukuritë devijante të pranishme në territorin e Ferizajt. I tillë ishte edhe aksioni i fundit i Inspektoratit Komunal që rezultoi me mbylljen e qendrës së katërt të masazhit në rrugën “Kemajl Hetemi”, njëkohësisht qendra e fundit që operonte në territorin e Ferizajt, raporton “Koha Ditore”.
“Ky aksion u realizua me asistimin e Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësinë e Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, bashkë me inspektorët sanitar dhe të tregut”, thuhet midis të tjerash në komunikatën e komunës së Ferizajt.
Koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha ka thënë se ky aksion është në vazhdën e aktivitetit të zgjeruar të këtij institucioni kundër dukurive devijate. Ai theksoi se për mungesë dokumentacioni për veprimtarinë e ushtruar është mbyllur edhe kjo qendër.
Tutje, ai paralajmëroi aksione të tjera këto ditë në mbrojtje të interesit qytetar dhe shëndetit publik.
Me mbylljen e kësaj qendre, Ferizaj është ndër të rralla komuna ku në territorin e saj nuk operojnë biznese të tilla.