Me festë, lule e plot gëzim, Ferizaj shënon 21 Marsin – Ditën e Pranverës. Personave me Sindromën Down dhe Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve
Grumbull qytetarësh ishin mbledhur sot në sheshin “Adem Jashari” në aktivitetet e organizuara për shënimin e 21 Marsit, ditë të veçanta në kalendarin e shënuar të ditëve ndërkombëtare siç është Dita e Personave me Sindromën Down, Dita Botërore e Ujit, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, Dita Botërore e Poezisë si dhe Dita e Pranverës. Familjarët me fëmijët me sindromën Down, drejtues të Qendrës “Pema” ishin ata që me aktivitetin e tyre ishin vendosur fare pranë ndërtesës së Komunës së Ferizajt.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorë të drejtorive komunale doli për t’i përshëndetur këta të fundit, si dhe në ditën e parë të pranverës të mbjell simbolikisht, tashmë sipas traditës, disa lule në këtë shesh. Ai, bashkë me një grup fëmijësh me sindromën Down, nënkryetarin e Komunës, Naim Ferati, drejtorët komunal, Kryesuesen e Kuvendit, Kristina Gashi Bytyçi si dhe një numër të konsiderueshëm qytetarësh, mbollën lule në shënim të këtyre festave, ditë të veçanta për shoqërinë dhe institucionet.
Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se pranvera në Ferizaj ka ardhur qysh më 21 dhjetor të vitit 2017 dhe si e tillë ajo do të vijoj me zhvillim, gjallëri e suksese të shumta për Ferizajn dhe ferizajasit.
“Sot është një kënaqësi e veçantë për mua si Kryetari i Komunës që në këtë ditë që përfshin shumë aktivitete tona dhe sot jemi së bashku me fëmijët me sindromën Down që të fillojmë me lule, në stinën e luleve, pra pranverën. Me këtë rast, unë dua të falënderoj që jemi sot këtu bashkë me këta fëmijë, pikërisht për të filluar pranverën dhe gjithmonë jeta ka nevojë për pranverën, jeta ka nevojë për lulet dhe jeta ka gjithmonë nevojë për diçka të re dhe sigurisht se sot po fillojmë diçka të re, ku jemi munduar dhe po mundohemi që aktivitetet tona të jenë të tilla, të jenë pranverë, që të jenë shpresë dhe mbi të gjitha që të jenë mbështetje. Pikërisht kjo ditë është për të dëshmuar këtë sepse ne jemi shpresë, ne jemi pranverë dhe ne jemi mbështetje për të gjithë ata që janë në nevojë. Pra është një ditë e veçantë sepse është edhe Dita e Poezisë, është edhe Dita e Personave me Sindromën Down por është edhe Dita e Ujit e poashtu është edhe Dita e Pranverës dhe në këtë rast le të më lejohet që gjithë këto gërshetime të këtyre manifestimeve të uroj ata që janë pjesë e këtij aktiviteti, për t’i siguruar edhe njëherë se ne do të jemi mbështetës jo vetëm i një ditë të vetme, por kjo simbolikisht është dita që fillon e që praktikisht e gjitha pjesa tjetër do të jenë mbështetje, punë dhe angazhim dhe në fakt edhe gjatë vitit të kaluar, atë që e kemi thënë në 21 marsin e vitit të kaluar, ka ndodhur gjatë gjithë vitit në mënyrë që të kemi sa më shumë pranverë, sa më shumë ambiente të mira, sa më shumë ambiente të pastra dhe sa më shumë ambiente të gjelbërta” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Me një mori aktivitetesh Ferizaj po përmbyll shënimin e kësaj date të rëndësishme për gjithë shoqërinë. Para këtij aktiviteti, në po të njëjtin shesh, nxënës të shumtë realizuan punime me motive të Ditës Botërore të Ujit, për ta shënuar dhe sensibilizuar shoqërinë për rëndësinë e ujit në jetën tonë. Në ndërkohë, edhe në parkun para ndërtesës së Komunës dhe përgjatë gjithë sheshit “Adem Jashari” punonjësit e Ndërmarrjes “Ambienti” mbollën lule, drunj dekorativ dhe rregulluan hapësirat e gjelbërta për të nisur kështu pranverën me ambient të pastër, të gjelbëruar dhe të mirërregulluar.
Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, këtë pasdite u mbajt edhe një marsh sensibilizues që nisi nga sheshi “Hyrë Emini” duke përfunduar në sheshin “Adem Jashari”, me ç ‘rast i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ekipin e qeverisjes lokale u bashkua në këtë aktivitet. Aty, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu duke uruar fëmijët dhe prindërit e tyre në këtë ditë tha se siç janë mbështetur deri më tani, do të vazhdohet, madje intensifikohet mbështetja për fëmijët me sindromë Down dhe familjarët e tyre, duke shtuar se kjo është më shumë sesa një obligim institucional, më shumë sesa përgjegjësi institucionale, garancë e së cilës do të jetë mbështetja e vazhdueshme dhe kujdesi i shtuar institucional për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë.