Çmimi i derivateve në naftës ka shënuar rritje në të gjithë botën dhe kjo po vërehet edhe në Kosovë. Këtë e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i cili tha se çmimi i derivateve, diktohet nga bursa ndërkombëtare.
Si shoqatë, asgjë nuk mund të bëjmë më shumë, thotë ai. Një arsye tjetër që çmimi i derivateve ka shënuar rritje, sipas tij, është edhe ulja e prodhimit nga vendet anëtare të OPEK’ut.
“Arsyeja kryesore është shkaku i bursës ndërkombëtare që e dikton çmimin dhe e organizatave që diktojnë prodhimin. Në mënyrë graduale dhe të lehtë, çmimi është duke u rritur vazhdimisht, por kjo bëhet në bazë të lëvizjeve që bëhen në tregun ndërkombëtar”, ka thënë Berjani për televizionin publik.
Përfaqësues të pikave të shitjeve, ndonëse nuk duan të flasin para mikrofonit, pohojnë se çmimi i derivateve po rritet çdo ditë. E ngasësit e veturave theksojnë se këto çmime po dëmtojnë buxhetin, edhe ashtu të varfër të tyre. Përderisa thonë se tashmë vetura nuk është luks, por një nevojë e përditshme.
Aktualisht çmimi për një litër naftë sillet rreth 1.15 euro, ndërsa benzina 1.16 cent. Me gjithë ngritjen e çmimeve, kryetari i shoqatës, Fadil Berjani, tha se nuk vërehet ndonjë rëne e shitjes. Sipas tij, çmimi i derivateve në Kosovë është më i ulëti në rajon.