Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës, ku hapjen e kësaj mbledhje e ka bërë Kryesuesja e Kuvendit, Kristina Gashi-Bytyçi. Në këtë mbledhje drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli, prezantoi propozim vendimet për shpalljen në interes të përgjithshëm të pjesëve të ngastrave kadastrale 114-0,137-0, 191-0, 118-0,3551-1, si dhe 1139-0 në zonën kadastrale Jezerc.

Pas këtij propozimi, grupet parlamentare kanë dhëne edhe vërejtjet, por edhe kërkesat e tyre në lidhje me këto propozime ndërsa me shumicë votash edhe janë aprovuar. Pikë tjetër në këtë seancë të Kuvendit ishte edhe propozim-vendimi për destinimin e ngastrës kadastrale 614-0 në zonën kadastrale në Nikadin, e cila poashtu u miratua nga anëtarët e Kuvendit.

Por pika e cila më së shumti ngjalli debat në këtë mbledhje ishte propozim-vendimi për Planin e Veprimit për Përmbushjen e Transparencës në Komunë për vitit 2019-2023. Drejtorja e Administratës dhe Personelit, Aurora Ramadani, duke prezantuar këtë pikë ka thënë se është e domosdoshme që të aprovohet një plan i tillë sepse një gjë të tillë e parasheh udhëzimi administrativ për transparencë i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe si e tillë është rekomandim dhe formë standarde për të gjitha komunat nga MAPL. Pas diskutimeve të gjata nga anëtarët e Kuvendit, me propozimin e nënkryetarit të Komunës, Naim Ferati, që shuan përfundimisht zërat se do të ndërpritet transmetimi direkt nga televizionet lokale i seancave të Kuvendit të Komunës, duke e përfshirë këtë pjesë në kuadër të Planit të Veprimit për Përmbushjen e Transparencës, u miratua edhe ky plan. Këtë shtesë në kuadër të këtij plani e mbështeti edhe grupi parlamentar i PDK-së. Me shumicë votash pro, votë kundër dhe abstenim nga opozita u miratua ky propozim vendim.

Në këtë mbledhje u propozua dhe miratua ndryshimi i 4 anëtarëve në komitetet joobligative dhe komisionin për hartimin e akteve juridike, anëtarë që vijnë nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ku me shumicë votash edhe kjo pikë e rendit të ditës kaloi dhe u bë edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të këtyre komiteteve.

Në këtë mbledhje u diskutua dhe miratua edhe propozim-vendimi për formimin e komisionit ad hoc me mandat të përkohshëm në shqyrtimin e ankesave për dhënien me qira të banesave në pronësi të komunës, propozim-vendimi për projektin e bashkëpunimit ndër komunal për aplikimin në MAPL për fondet e bashkëpunimit ndërkomunal, si dhe propozim vendimi për afatizimin në 90 ditë të punës së Komisionit për emërtimin e rrugëve, rrugicave, shesheve në Komunën e Ferizajt.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.