Microsoft do të ndalojë mbështetjen për Windows 7, gjatë fillimit të vitit që vjen, duke i lënë shumë kompjuterë në rrezik nga infektimi prej viruseve të ndryshme.
Gjiganti teknologjik, më nuk do të ofrojë përditësimet e sigurisë për sistemet operative që shfrytëzohen nëpër shtëpi, që nga janari i 2020-ës.
Pas kësaj date, bizneset detyrohen të paguajnë një çmim të lartë, teksa kompjuterët PC që shfrytëzohen nëpër shtëpi, mbeten të hapura si pasojë e mungesës së përditësimeve.
Windows 7 për momentin është i instaluar në 42.8 për qind të kompjuterëve në mbarë botën, derisa Windows 10 mbështetë 45.5 për qind të kompjuterëve, raporton kompania Net Applications.
Deri në vitin që vjen, Microsoft do të ndërmerr iniciativë për rritjen e sigurisë së sistemeve në pajisjet e reja, por duke i lënë versionet e vjetra të hapura dhe në rrezik të konsiderueshëm.
Kompania e prezantoi Windows 7 më 2009, ndërsa ndërpreu mbështetjen për të më 2015. Të gjithë ata që e shfrytëzojnë këtë sistem, inkurajohen ta përditësojnë me Windows 10, në mënyrë që të shmangin ndonjë eksploatim të kompjuterit të tyre.
Madje, Microsoft rekomandon që përditësimi të bëhet sa më herët, meqë më vonë do të ketë edhe probleme me shërbim, duke pamundësuar shitjen.
Përditësimi me Windows 10, pritet të kushtojë rreth 100 euro. Deri më tani ky version jepej falas, por shfrytëzuesit e mbanin ende nëpër kompjuter Windows 7, sepse e konsideronin më të lehtë për përdorim.