Rreth 60 familje skamnorë të Komunës së Ferizajt, pritet të ndihmohen me lëndë djegëse.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dr. Burim Karameta përmes një konference me gazetarë. Ai ka thënë tashmë komisioni është në fazën përfundimtare të listave përzgjedhëse për ata që kanë nevojë.
“Kemi pasur një numër të madh të kërkesave të familjeve që kanë pasur nevojë ti mbështesim me këtë projekt. Mirëpo në vendimin që është marr në Kuvendin e Komunës për drutë e sekuestruara nga Drejtoria e Pylltarisë, ne kemi në dispozicion rreth 140 metra dru kur përfitues do të jenë 60 deri në 70 familje”, ka thënë drejtori Karameta.
Drejtori Karameta, tha se në kuadër të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor është bërë edhe prezantimi i programit për banim kolektiv i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizajt, i cili ka qenë i vlerësuar tejet lart si programi më i mirë i formuar ndonjëherë.
U bë e ditur se sa i përket fushës së shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, janë intensifikuar punët në komisionet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional ku janë duke u mbajtur konferenca, trajnime dhe konferenca të ndryshme për mjekët dhe infermierët të cilët tashmë janë në fazën e ri-licencimit.
“Gjithashtu një numër i madh i mjekëve tanë kanë përfituar edhe specializimet në edukimet post-diplomike në nivel qendror, dhe të cilët na kanë shtuar mundësinë që të bëjmë hulumtimin e nevojave të këtyre specializimeve dhe gjithashtu mundësinë e zëvendësimit të këtyre vendeve”, është shprehur drejtori Karameta.
U tha se shumë shpejt pritet të realizohen edhe dy projekte me rëndësi siç është ai i sistemit informativ shëndetësor si dhe projekti për ekzaminimin e pap testit të gjinisë femërorë për bërjen e strishos në mënyrë që të behet edhe parandalimi i kancerit të qafës së mitrës.