Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas në sheshin e Ferizajt u vendosën 8 fotografi me karaktere të ndryshme që shpërfaqin dhunën dhe kulturën patriarkale në shoqërinë tonë.
Bardha Goga nga këshilli organizativ, tha se përmes kësaj ekspozite kërkojnë përmbysjen e roleve gjinore.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas kemi organizuar këtë ekspozitë me 8 fotografi artistike ku të gjitha kanë nga një mesazh duke përçuar shoqërinë patriarkale që e ka zhvilimin në kohë më të vjetra e që vazhdojnë të jenë të shfaqura ende në shoqërinë tonë dhe për këtë arsye protestojmë përmes fotografisë sot që shoqëria të ndryshoj idenë patriarkale“, tha Goga.
Kurse, Arbenita Topalli tha se është shqetësuese rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje, e po ashtu edhe numri shumë i ulët i grave për të kërkuar të drejtën e tyre për pronë.
“Padyshim që ndër vite është e shprehur në shoqërinë tonë dhuna në familje, e sidomos në periudhën e pandemisë, kjo periudhë ka ndikuar në gjendjen e tyre, por jo vetëm periudha e pandemisë, por dhuna në familje është sistematike dhe kjo është problematika më e madhe në shoqërinë tonë, madje që nuk po bëhet aq sa duhet në këtë rast, prandaj ne bëjmë thirrje që të merren seriozisht këto thirrje dhe të trajtojnë rastet e grave dhe mos të ndodhin edhe vrasjet siç ka ndodhur deri tani”, tha Topalli.
Për shkak të pandemisë këtë vit në qytetin e Ferizajt nuk është organizuar protesta me moton “Marshojmë s’festojmë”.