Në vazhdën e aksionit të ndërmarrë me nismën e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për rritjen e kontrollit të kushteve higjieno-sanitare në subjektet afariste që operojnë në territorin e Komunës së Ferizajt, sot Inspektorati Komunal me inspektorët e veterinarisë, sanitarisë dhe të tregut kanë zhvilluar një aksion të gjerë në disa subjekte afariste për kontroll sanitare të produkteve, me ç ‘rast kanë hasur në produkte dhe nënprodukte të mishit të skaduar, prishura dhe dëmtuara.
Me këtë rast, inspektorët komunal kanë konfiskuar një sasi prej afro 1 ton mish, nënprodukte të tij dhe produkte të tjera shtazore të cilat janë konstatuar si të prishura, dëmtuara dhe skaduar. Inspektorët komunal kanë proceduar këtë aksion duke bërë menjëherë asgjësimin e kësaj sasie produktesh dhe për të njëjtat, bazuar në ligjet në fuqi, do të iniciohet procedurë pranë organeve gjyqësore.
Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit Komunal ka dal në vend ngjarje, duke bërë konstatimin e gjendjes dhe iniciuar procedurën përkatëse përkitazi me rregullat e inspektimit.
“Aksioni i sotëm është ndërmarrë në disa subjekte afariste, është ndër aksionet më të mëdha që kemi ndërmarrë kohëve të fundit, për të siguruar qytetarët për cilësinë e produkteve që ofrohen në treg. Ne sot kemi konfiskuar dhe asgjësuar një sasi prej afro 1 ton mish dhe nënprodukte të tij, të cilat janë kualifikuar si të prishura, dëmtuara dhe të skaduara. Ky aksion do të vazhdohet dhe zgjerohet edhe ditëve në vijim”, tha Berisha.
Ai ka shtuar se kanë mbështetjen e kryetarit të Komunës, Agim Aliu, për të gjitha veprimet e tyre operative në terren. “Ftoj qytetarët ferizajas që të bashkëpunojnë me Komunën e Ferizajt, gjegjësisht Inspektoratin Komunal, për të denoncuar rastet kur hasin në produkte që nuk përmbushin kushtet e nevojshme higjieno-sanitare, apo vlerësojnë se janë të dyshimta për konsum. Ne jemi të gatshëm 24 orë në 7 ditë të javës t’i përgjigjemi kërkesave të qytetarëve. Aksione të tilla do të ketë edhe në segmente të tjera brenda domenit të Inspektoratit Komunal”, theksoi koordinatori Berisha.
Një aksion i tillë ka ndodhur në vazhdën e disa veprimeve për rritjen e kontrollit dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi të ndërmarra nga Inspektorati Komunal, veprime këto që ditëve në vijim do të shtrihen edhe në fusha të tjera për inspektim.