Prishtinë, 8 dhjetor – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka takuar sot përfaqësuesit e BQK-së dhe të Trustit të Kursimeve Pensionale, ku për temë diskutimi kishin përgatitjet lidhur me zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Pas takimit, kryeministri Hoti ka mbajtur një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se nga e premtja, qytetarët mund të aplikojnë për tërheqjen e kursimeve të tyre pensionale.
”Pas dy ditëve që është punuar në Ministrinë e Financave, bashkë me Bankën Qendrore dhe me Trustin Pensional, sot u takuam të gjithë së bashku për të konkluduar përgatitjet që janë bërë nga Trusti dhe nga Banka Qendrore në konsultim me Ministren e Financave, për të filluar menjëherë zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, në veçanti tek pjesa që ka të bëjë me tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional.”
”Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj Trustin dhe Bankën Qendrore të Kosovës për kryerjen e të gjitha procedurave teknike të proceseve që është dashtë të ndodhin në mes këtyre dy institucioneve, në mënyrë që qytetarët shumë shpejt të fillojnë procedurën e aplikimit për tërheqjen e këtyre fondeve”, ka deklaruar Hoti.
Po ashtu, ai theksoi se kanë biseduar që Banka Qendrore të komunikojë me Fondin për Garantim të Kredive përmes Ministrisë së Financave, në mënyrë që sa më parë të fillojë zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje edhe në pjesën që lidhet me garantimin e kredive për bizneset.
”Nga informatat që morëm edhe nga Zëvendësguvernatori dhe nga kryetari i Bordit dhe nga drejtori i Trustit është që të gjitha përgatitjet janë bërë, janë ndarë informatat në mes të këtyre dy institucioneve.”
”Është përgatitur edhe sistemi, është hapur uebfaqja dhe të premten në orën 15:00 pasdite hapet sistemi për qytetarë për të aplikuar për tërheqjen e këtyre kursimeve. Besoj që sistemi në bazë të përgatitjeve që janë bërë është plotësisht i sigurt dhe është i përgatitur ashtu që të përballojë fluksin, çfarëdo fluksi që mund të ketë nga ana e qytetarëve për tërheqje të këtyre mjeteve”, theksoi ai.
Kryeministri Hoti, nënvizoi se Qeveria do të marrë përsipër të gjitha obligimet që parashihen me ligj.