Nënkalimi që do të bashkojë Ferizajn e ndarë nga hekurudha ka filluar të ndërtohet sot pas vënies së gurit themeltar nga krerët qendrorë dhe lokalë.
Projekti “Bashkimi i Qytetit” në Ferizaj, kap vlerën e 4 milionë dollarëve dhe përfshin ndërtimin e nënkalimit për automjete që do të lidh rrugët “Vëllezërit Gërvalla” me “Latif Hasani”, deri te rrethrrotullimi afër Shtëpisë së Pensionistëve.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se Ferizaj filloi projektin më të rëndësishëm të 20 vjetët e fundit, derisa ka përmendur edhe fillimin e ndërtimit të Spitalit Rajonal në këtë qytet. Përveç këtyre projekteve, Haradinaj ka përmendur edhe nisjen e projektit të ujëmbledhësit të Lepencit.
“Në Ferizaj, qytetin me veprimtari të madhe ekonomike dhe taksapagues të shumtë, po vendoset më në fund drejtësia. Sot, kisha kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë e nisjes së njërit prej projekteve më të rëndësishme në 20 vjetët e fundit në Komunën e Ferizajit, atë të “Bashkimit të Qytetit”, përmes nënkalimit më të madh në vend. Kemi filluar me investime në projekte infrastrukturore, për të vazhduar me Spitalin Regjional dhe së shpejti do të angazhohemi për nisjen e projektit të ujëmbledhësit të Lepencit! Kosova dhe qytetet e saj, përmes veprave të mëdha infrastrukturore, do të jenë unike. Qeveria po dëshmon se është hallkë, që lidhë dhe bashkon vendin me projekte moderne”, ka thënë Haradinaj.
“E di që ky projekt ka qenë ëndërr për qytetarët e Ferizajt. Sigurisht ka pasur edhe skpekticizëm. Por ky projekt do të realizohet shumë shpejt, duke i dhënë qytetit të Ferizajt një dimension të ri, zhvillim dhe perspektivë, e njëkohësisht do të krijojë siguri për nxënësit dhe të gjithë ferizajasit në përgjithësi”, ka thënë Kadri Veseli.
Ai tha se Kosova po ecë vendosmërisht në rrugëtimin e saj evropiane. “Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë dhe ende nuk po e arrijmë perspektivën të cilën të rinjtë tanë e duan. Thërras gjithë të rinjtë që të qëndrojnë në Kosovë dhe ta bëjmë bashkë ndryshimin. Vizioni ynë është shumë i qartë: integrimi euro-atlantik dhe zhvillimi ekonomik”, theksoi Veseli.
Ai tha se ajo çfarë u duhet më së shumti qytetarëve tanë është besimi.
“Kush kishte besuar para 20 vjetëve se do të realizohen projekte të tilla në Ferizaj? Kush kushte besuar se Ferizaj do të lidhej me këtë lloj autostrade moderne me Shkupin? Ky është vetëm fillimi. Do të fillojë edhe projekti i hekurudhës, duke evituar rrezikun për qytetarët, i cili do të përfundojë në afat rekord”, theksoi Veseli, duke falënderuar kryetarin e Komunës, Agim Aliu, për vendosmërinë e tij që ky projekt të realizohet./BP/