Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë” për vitin 2017.
Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e Gjendjes Civile në Kosovë.
Në vitin 2017 janë grumbulluar gjithsej 18 642 fleta statistikore për kurorëzime.
Në Komunën e Ferizajt gjatë këtij viti janë regjistruar 1047 kurorëzime.
Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë në vitin 2017 janë kurorëzuar 17 112 qifte-bashkëshortore.
Sipas përbërjes etnike del se: me përkatësi etnike shqiptare janë kurorëzuar 93.3% femra dhe 95.7% janë meshkuj; me përkatësi etnike serbe janë kurorëzuar 0.9% femra dhe 0.9% meshkuj; me përkatësi etnike turke janë kurorëzuar 0.3% femra dhe 0.4% meshkuj; me përkatësi etnike boshnjake janë kurorëzuar 1.3% femra dhe 1.2% meshkuj; me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë kurorëzuar 1.0% femra dhe 1.0% meshkuj; kurse me përkatësi tjetër etnike janë kurorëzuar 3.1% femra dhe 0.7% meshkuj.
Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 32 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeç.
Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 500 ose 32.1%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 278, ose 30.8%.
Sipas komunave, Prizreni zë vendin e parë në Kosovë me 1 594 kurorëzime, ose 8.6%; Prishtina me 1 420, ose 7.6%; Ferizaj me 1 047, ose 5.6% etj.
Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10 946, ose 64.0%; dhe numri i meshkujve është 12 312, ose 71.9%.