w 2 560x416 - Përfaqësues të bizneseve dhe banorë të Prelezit kërkojnë përmirësimin e cilësisë së energjisë

Cilësia e dobët dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike kanë nxjerrë në protestë përfaqësuesit e bizneseve në zonën industriale të Ferizajt dhe disa nga banorët e fshatit Prelez. Ata janë tubuar para qendrës së KEDS-it në Ferizaj, të enjten, për të kërkuar vendosjen e një trafoje të re në zonën industriale, ndërkohë kanë deponuar edhe një peticion me rreth 20 nënshkrime nga pronarët e bizneseve.

Përfaqësuesit e KEDS-it kanë pranuar në takim disa prej protestuesve. Atyre u është thënë se shqetësimet e tyre janë përcjellë te menaxhmenti në qendër.

Përparim Bega, përfaqësues i një biznesi në zonën industriale në Prelez të Ferizajt, ka thënë se para pak kohësh i është djegur objekti si pasojë e telasheve të energjisë dhe ndërkohë i janë dëmtuar edhe pajisjet elektronike. KEDS-i, sipas tij, nuk ndërmerr asgjë për përmirësimin e cilësisë së furnizimit.

“Jemi mbi 20 biznese, por edhe banorët e fshatit që kemi probleme me energji elektrike prej rreth pesë vjetësh. Energjia elektrike vjen vetëm 120 deri 130 , pra të gjithë duhet të përdorim transformatorë për ta rritur energjinë, e kjo po shkakton probleme. Kemi bërë ankesa shumë herë, por nuk janë marrë parasysh ato, kurse kësaj here jemi munduar ta bëjmë një protestë të vogël në kushte të pandemisë në mënyrë që organet kompetente ta bëjnë një zgjidhje, sepse ne operojmë në zonën industriale”, ka deklaruar Bega.

Sipas tij, KEDS-i duhet ta vendosë një trafo të re në mënyrë që të përmirësohet energjia elektrike.

“Është gjendje e mjerueshme, ka ndodhur në javën e kaluar deri në ora 16:00 nuk kam mundur me i ndez kurrë kompjuterët. Pra, nëse unë nuk mund t’i ndezi kompjuterët deri në ora 16:00 unë s’mund të bëj as shitje dhe s’mund ta tatimoj as mallin, sepse kalon me ditë që arka fiskale nuk punon me 110 volt. Pra, nëse KEDS-i nuk reflekton brenda javës me një veprim atëherë ne nuk do t’i ndalim protestat, madje do të organizohemi më shumë”, ka bërë me dije Bega.

Skender Azemi, banor nga fshati Prelez, ka thënë se tensioni i energjisë është shumë i dobët, madje telashe po paraqesin edhe vjetërsia e shtyllave elektrike. Sipas tij, telashet po shkaktohen më së shumti në aparaturë elektronike-shtëpiake dhe biznesore.

“Kërkesa ka pasur që prej 4 vjetësh, por ne si lagje nuk po hasim në mirëkuptim. Siç kanë thënë, KEDS-i që duhet të jetë rrjeti nuk ka ardhur. Arsyet nuk i dimë pse, ndoshta neglizhenca e tyre. Besojmë se protesta do të ndikojë në zgjidhjen e problemeve, sepse ne të gjithë jemi taksapagues të rregullt të energjisë, prandaj duam cilësi më të mirë“, ka thënë Azemi.

Imri Azemi, banor i fshatit Prelez, sqaron se pas protestës drejtuesit e KEDS-it në Ferizaj kanë pritur një grup të banorëve dhe bizneseve për të diskutuar.

“Ne biseduam me zëvendësdrejtorin e KEDS-it, por jo me drejtorin. Ai tha se keni nënshkruar peticion dhe ua kemi dërguar para një viti edhe nivelit qendror, por ai tha ne nuk mund të bëjmë asgjë, por duhet ta shqyrtojmë edhe një herë shqetësimin e protestuesve. Pra, ne do të vazhdojmë me protesta derisa KEDS-i të marrë masa për zgjidhjen e problemeve tona”, ka njoftuar Azemi.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka thënë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për biznese, por për dy-tre konsumatorë që kanë qenë para objektit të KEDS-it për t’u ankuar.

“Më herët nuk kishte ankesa nga këta banorë. Sidoqoftë, KEDS-i do ta dërgojë një ekip për ta inspektuar gjendjen dhe në bazë të konstatimit të gjendjes në terren do të procedojmë tutje”, ka thënë shkurt Buzhala.

 

Burimi: KOHA


www.foxshop-ks.com