Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve si dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, bënë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorit Sali Berisha.
Me këtë rast, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se gjaku i Dëshmorëve të Kombit, është themeli i Pavarësisë së Kosovës dhe vepra e tyre udhërrëfyes për gjeneratën e shtet ndërtimit.
Edhe Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gafurr Bytyqi, ka vlerësuar tejet lartë kontributin e Dëshmorit të Kombit, Sali Berisha, duke cilësuar veprën e tij si të pavdekshme. Ndërkaq familjarët tashmë dhembjen e tyre e kanë shndërruar në krenari.
Ata kanë falënderuar edhe të gjithë pjesëmarrësit në homazhe duke theksuar se me homazhe po e lehtësojnë edhe dhimbjen e tyre.
Më tutje, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të tjerë institucional vendosën kurora lulesh tek lapidari në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.