Studimi i fundit i Agjencisë Europiane të Mjedisit i rendit plazhet shqiptare ndër të fundit në Europë për nga cilësia e ujit.
Për 2017-ten, vlerësimi “shkëlqyeshëm” i jepet 54.9% te plazheve tona me ujë të një cilësie të padiskutueshme, çka bën që në renditjen e kësaj agjencie, vendi ynë arrin të lërë pas vetëm Rumaninë dhe Bullgarinë.
Ndër më të mirët janë Malta, Qiproja e Greqia. 84 % është niveli i zonave me ujë të një cilësie që mund të konsiderohet e mjaftueshme dhe 11,8% ato me ujë jo të pastër. Përfundimet e studimit shoqërohen edhe me grafikë sqarues dhe një hartë ku me ngjyre të kuqe janë shënuar plazhet më të ndotura që marrin notën dobët, me blu plazhet që marrin vlerësimin shkëlqyeshëm, me të gjelbër ato që mbërrijnë tek mjaftueshëm.
Plazhet problematike me të kuqe në hartë i korrespondojnë disa zonave në Durrës, Vlorë e Sarandë. 12 plazhet e renditura në raport si me cilësi jo të kënaqshme uji janë sidoqoftë një më pak se në 2016-tën dhe vihen re përmirësime të dukshme krahasuar me 2015-ten.
Monitorimi i ujit realizohet duke marrë një kampion përpara nisjes së sezonit veror e paskësaj të paktën 4 kampionë gjatë periudhës kur plazhet mbushen me pushues.
Analizat bëhen mbi bazën e dy parametrave mikrobiologjike, bakteret “Escherichia coli” dhe “enterecoccus faecalis”, që janë tregues i derdhjes së fekaleve në det./Top-Channel/